Tifozët e Kosovës, Dardanët, dje kanë zbuluar një koreografi me thënien: “Mëmëdheu qan për trima e burra, por jo për qyqarë e tradhtarë”.
Një koreografi shumë e bukur, ku nderoheshin lojtarët e Kosovës, mjekët, ushtarët dhe policët. Në krye të koreografisë ishte Rita Ora me shallin me flamur të Kosovës.
Pas ndeshjes kishte shumë të tillë që mendonin se kjo koreografi iu dedikohej Mirlind Dakut dhe Arbnor Mujës, por edhe Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.
Por kryetari i Dardanëve e ka mohuar këtë gjë, duke sqaruar çdo gjë rreth koreografisë dhe duke shënjestruar Uran Bislimin.
Më poshtë postimi i Lulzim Berishës, kryetar i Dardanëve pa ndërhyrje.
Koreografia e mbrëmshme ishte një kryevepër e radhës që pata kënaqësinë si udhëheqës i Dardanëve, së bashku me anëtarët fisnikë e të palodhshëm të këtij tifogrupi, ta ideojmë dhe përgatitim. Si çdoherë, as kësaj radhe nuk mungoi dëshira nga disa qarqe për të ngritur pluhur të panevojshëm.
Si pikë e parë, filloj me një përgënjeshtrim të fuqishëm se kinse koreografia ishte një provokim apo thumbim për lojtarët që së fundi zgjodhën fanellën e Shqipërisë. Të gjitha rrena të kulluara. Unë nuk jam fshehur kur dikujt i kam thënë tradhtar, sepse i dija prapaskenat sesi kanë ikur. Nëse kësaj radhe përnjëmend ai kishte me qenë qëllimi nuk do të isha fshehur as tani, por e vërteta qëndron krejtësisht ndryshe.
Arsyeja kryesore e kësaj ideje për koreografi ishte nderimi i një figure artistike legjendare kosovare siç është Rita Ora, e cila ka promovuar këtë vend gjithandej në botë pa ia kërkuar njeri. E ndjemë të nevojshme një gjë të tillë veçanërisht pas sulmeve që iu bën për shkak të një pakujdesie të çastit. Me këtë gjest dëshiruam që të përçonim mesazhin e fortë te Rita dhe familja Ora se jeni zemra organike e këtij shteti dhe kësaj shoqërie.
Kjo nuk është e tëra. Dje, edhe pse nuk luajti, në vendin tonë u kthye edhe një dezertor i paskrupullt, i cili në nëntor puthi fanellën e Kosovës e më pas ia ktheu shpinën si njeri pa sedër. Si ai, vetëm se diku nga ndonjë kolltuk shtëpie në Belgjikë, gjendet edhe një njeri tjetër i ligë që mashtronte një popull për të bërë pazare me Zvicrën në kurriz të atdheut të familjarëve të vet.