Spektakël në All Star, Westbrook yll (VIDEO)

Mbrëmje e denjë për një skenar filmi ajo e All Star Game. Në natën e yjeve të NBA nuk mund të mungonte spektakli por këtë herë gjithcka rezultoi akoma edhe më e bukur. Konferenca e Perëndimit mposhti pas një sfide magjepsëse Konferencën e Lindjes 163-158. Plot 321 pikë të realizuara, All Star Game i vitit 2015 vendosi një rekord të ri përsa i përket pikëve të shënuara duke parakaluar edhe atë vitit të kaluar me 3 pikë më tepër.

Por ky nuk ishte i vetmi rekord që dhuroi mbrëmja magjike e Madison Square Garden në New York, pasi këtë herë u vunë në skenë plot 48 realizime për tre pikë, ndërkohë që rekordi i mëparshëm ndalej në kuotën e 30 trepikshave. Përsa i përket rekordeve personalë mjafton të shikosh paraqitjen e MVP-së së mbrëmjes, lojtarit të Oklahoma City, Rusell Westbrook.

Nëse shumë persona do të intervistoheshin përpara sfidës dhe do të jepnin mendimin e tyre se cili do të shpallej lojtari më i mirë i All Star Game, nëse do të bëhej fjalë për një basketbollist të Thunder, të gjithë do të thoshin Kevin Durant, por nuk ndodhi aspak kështu pasi Rusell Westbrook la në hije edhe shokun e tij të skuadrës duke u shndërruar në MVP e takimit. Plot 41 pikë realizoi 26-vjecari i Oklahomës, duke iu afruar me vetëm 1 pikë rekordit absolut që mbahet nga legjenda e NBA, Wilt Chamberlain me këtë të fundit që në vitin 1962 shënoi 42 pikë në All Star Game.

Gjithsesi Westbrook ka gjithë të drejtën e botës të krenohet për paraqitjen e tij pasi përvec se udhëhoqi Perëndimin drejt fitores së 4-t në 5 All Star Game e fundit, në pjesën e parë me 27 pikët e tij theu edhe rekordin e Chamberlain, përsa i përket pikëve të realizuara në një fraksion loje. Në Madison Square Garden gjithcka nisi me një përqafim të dy vëllëzërve Gasol.

Si asnjëherë në histori dy pjestarë të një familjeje vendoseshin kundër njëri-tjetrit në një ndeshje të tillë, me Marc Gasol që ishte pjesë e skuadrës së Perëndimit dhe Pau Gasol që pasi spikati për vite të tëra në radhët e kundërshtarit këtë herë duhet mbronte ngjyrat e Lindjes. Strategët e kësaj përballjeje yjesh ishin Steve Kerr dhe Mike Budenholzer, por sfidën mes të dyve arriti të fitonte vetëm njëri dhe ai ishte trajneri i Golden State Warriors.

Pjesa e parë e sfidës ishte e gjitha një spektakël më vetë, pavarësisht paraqitjes fantastike Westbrook gjithcka rezultoi në baraspeshë totale me dy skuadrat që shkuan në pushim me avantazhin e Konferencës së Lindjes prej vetëm 1 pike. Ndeshja e yjeve vazhdoi në ekuilibër të plotë deri 4 minuta përpara fundit kur tabela elektronike e Madison Square Garden shënonte shifrat 148-148. Lebron James dhe Kyle Korver rezultuan dy basketbollistët më të mirë mbi parket për skuadrën e Lindjes me mbretin James që realizoi në total 30 pikë ndërsa ylli i Hawks shënoi plot 7 trepikësha.

Megjithatë që nga ky moment sfida foli vetëm për Perëndimin. Dy realizime të sakta nga vija për tre të dyshes Westbrook-Harden, dhe 2 pikësha të Chris Paul bënë që ekipi i drejtuar nga trajneri Steve Kerr të regjistronte një rezultat të pjesshëm 10-1 për t’i dhënë drejtim takimit. Gjithcka përfundoi nën shenjën e Rusell Westbrook që përvecse i dha fitoren skuadrës së Perëndimit u shpall edhe MVPi All Star Game.

163-158 ishte rezultati përfundimtar që prodhoi sfida e yjeve ku përvec Westbrook për Perëndimin spikati edhe James Harden me 29 pikë 8 asiste dhe 8 rebound. Një përballje që shkon përtej shifrave, e gjatë ne centimetra, e fortë në muskuj dhe spektakolare poshtë koshit. Ky është NBA, kjo është ndeshja e yjeve.