Spektakël me shtatë gola në Artemio Franchi, Interi mposht Fiorentinën në frymën e fundit

Interi ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Fiorentina me rezultat 4-3 në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në Serie A.

Ekipi i Simone Inzaghit ka vazhduar serine pozitë në kampionat, duke marrë edhe fitoren e tretë radhazi dhe duke vazhduar ngjitjen në tabelë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të mysafirëve, të cilët arritën shpejt t’i shënojnë dy gola, ndërsa vendasit shënuan një.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm dy minutave lojë me anë të Nicolo Barella, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Lautaro Martinezit, me argjentinasin që në minutën e 15-të u përkujdes për të dërguar epërsinë në 0-2.

Vendasit u kthyen në lojë në minutën e 33-të me anë të Arthur Cabral, i cili shënoi për 1-2 nga penalltia e akorduar pas rishikimit të VAR-it.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, por me Nerazzurrët për një nuancë më të mirë, duke fituar në fund tri pikë shumë të mëdha në trilerin e minutave të fundit.

Të parët në këtë pjesë golin e gjeten vendasit duke shënuar me anë të Jonathan Ikone (66’) për 2-2 dhe duke vështirësuar fitoren e Interit.

Pas këtij goli, Nerazzurrët u hodhën në sulm në kërkim të golit të epërsisë dhe atë e gjeten me anë të Martinez (73’), i cili shënoi për 2-3 nga penalltia të cilën e nxori vet, pas ndërhyrjes së palejuar nga portieri vendas.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej me këtë rezultat, në skenë doli Luka Jovic (90′), i cili shënoi për 3-3 dhe dëshpëroi të gjithë te Interi.

Megjithatë, zikaltrit nuk e ndalën dhe në minutën e pestë shtesë shënuan golin e fitores me anë të Henrikh Mkhitaryan, i cili vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 3-4.

Pas kësaj fitore, Interi e sheh veten në pozitën e shtatë me 21 pikë, teksa Fiorentina renditet e 13-ta me 10 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Nerazzurrët e presin në shtëpi Sampdorian, teksa Viola udhëton te Spezia.

Të gjithë të pranishmit në Santiago Bernabeu ngritën në këmbë për ta uruar Karim Benzeman (Video)

Real Madridi vazhdon me fitore, mposht edhe Sevillën