Spanja është treguar më e saktë në ekzekutimin e penalltive përballë Kroacisë, për ta fituar trofeun e Ligës së Kombeve në edicionin 2022/2023, pas finales së Roterdamit, ku koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën pa gola (0-0).
Gavi pati një nga mundësitë e para për spanjollët, me kroatët që kërkuan më shumë në vijim të takimit.
Ivan Perisic pati ndër rastet për t’u përmendur në fraksionin e parë të lojës, megjithatë skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.
Futbollistët e Kroacisë hynë në pjesën e dytë më të vendosur për ta gjetur golin dhe krijonin raste të njëpasnjëshme, megjithëse u mungonte finalizimi.
Në anën tjetër, La Roja tregohej e rrezikshme kohë pas kohe duke mos arritur ta imponojë tempin e vet të lojës.
Një nga rastet më të mira të kësaj gjysmëloje e pati Ansu Fati, mirëpo Ivan Perisic e bllokoi goditjen që do të ndalej në rrjetë.
Kroatët e patën rastin e fundit gjatë kohës së rregullt që nuk u shfrytëzua dhe ndeshja shkoi në vazhdime për ta përcaktuar fituesin.
Ndërtimi i aksioneve dhe rastet ishin të pranishme edhe në fraksionin e parë të vazhdimeve, mirëpo rrjetat heshtën.
Spanjollët rrezikuan më shumë në gjysmën e dytë të vazhdimeve, megjithëse mundësitë nuk u shfrytëzuan dhe fituesi duhej të vendosej pas ekzekutimit të penalltive.
Pas ekzekutimit të penalltive më të saktë u treguan futbollistët e Spanjës, të cilët e fituan trofeun e Ligës së Kombeve për edicionin 2022/2023.