Sot rikthehen emocionet e Superligës së Kosovës

Pas një pauze dyjavore, futbolli i Kosovës rikthehet me ndeshjet e javës së dhjetë, dhe sot në orar është vetëm një ndeshje.

Kampioni i Kosovës, Ballkani do të përballet me skuadrën nga Prizreni, Lirinë, ndeshja do të zhvillohet në “Stadiumin e Qytetit” në Therandë, me fillim nga ora 13:00.

Aktualisht FC Ballkani renditet në pozitën e parë me 20 pikë, kurse Liria gjendet në vendin e parafundit në tabelë me gjashtë pikë.

Të shtunën zhvillohen dy ndeshjet e radhës, Gjilani pret ekipin i cili u inkuadrua në Superligën e Kosovës këtë edicion, Fushë Kosovën. Gjilani vjen pas një barazimi dhe dëshiron fitoren e radhës ndërsa Fushë Kosova si ekipi i fundit në tabelë kërkon këndelljen.

Ndërkohë në të njejtën kohë zhvillohet edhe ndeshja mes Feronikelit 74 dhe Prishtinës në Drenas. Dy skuadrat kanë shumë pak dallim në pikë, kryeqytetasit kanë 12 pikë në pozitën e pestë ndërsa ekipi nga Drenasi ka 10 në pozitën e gjashtë.

Edhe të dielën zhvillohen dy përballje interesante ku Dukagjini shkon si mysafir te Malisheva. Dukagjini vjen pas barazimit me Gjilanin ndërsa Malisheva pas humbjes kundër Dritës.

Derbi kryesor i javës i takon Llapit dhe Dritës, të cilat janë rivale për pozitat e para në tabelë. Llapi me një ndeshje më shumë të zhvilluar ka 19 pikë ndërsa Drita ka 18 pikë pas tetë ndeshjeve të zhvilluara. /Gazeta Olle/

UEFA nuk lejon asnjë ndeshje në Izrael

Ronaldo Junior bëhet pjesë e skuadrës së Al Nassr