Sonte natë e madhe, forca Haxhi

Mbrëmja e së shtunës (sonte) do të jetë më e rëndësishmja në karrierën e deritanishme të Haxhi Krasniqit, ndërsa bashkëkombësit e tij shqiptarë do të kaplohen nga emocionet, sikurse para disa vitesh kur e përcillnin nëpërmjet televizorit Luan Krasniqin.

Kjo për faktin se Haxhi Krasniqi do të ngjitet në ring për ta realizuar ëndrrën e tij dhe dëshirën e shqiptarëve, për ta fituar titullin e kampionit botëror, në versionin WBA, të cilin deri më tani nuk e ka fituar asnjë shqiptar.

Brezin e kampionit botëror aktualisht e mban gjermani Jurgen Brahmer, kundërshtari i fortë boksierit nga Juniku. Përballja mes tyre do të zhvillohet në Rostock të Gjermanisë, ku kosovari njihet me emrin Robin, përcjellë ‘Zëri’.

“Kjo është sfida më e rëndësishme e jetës sime”, thotë Krasniqi, i cili në dhjetor e mposhti polakun, Dariusz Sek. Por, nuk pushoi shumë dhe i nisi përgatitjet intensive dhe shumë të mëdha për sfidën e radhës, vetëm e vetëm që ta fitojë brezin e kampionit botëror.

“Jam përgatitur maksimalisht për këtë luftë, prandaj dua të fitoj, sepse konsideroj se e meritoj, duke e pasur parasysh punën që e kam bërë”, ka theksuar 27-vjeçari, i cili me optimizëm do të ngjitet në ring, rreth orës 22:30.