Sokoli: Qëndrimi, bojkoti, kurdisjet, Mushica

Bylbyl Sokoli ndihet i qetë dhe i sigurt në pozitën e tij. Trajneri i Prishtinës, po e kryen punën e tij me përkushtim, me shpresën që në fund t’i shpërblehet me titull mundi dhe sakrifica. Ai nuk ndihet larg titullit dhe beson se me angazhimin e të gjithëve në klub, në fund bardhekaltrit do të festojnë. “Pas bisedës që kishim me presidentin Remzi Ejupi e kemi sjellë këtë vendim (për të vazhduar bashkëpunimin v.j) sepse mendojmë se është më i dobishëm. Në klub ka rend, ka disiplinë dhe unë mendoj që rezultatet duhet të vijnë. E kam vlerësuar se është e vështirë të punohet në Prishtinë për disa arsye, të cilat nuk dua t’i cek. Por, ne jemi në rrugë të mirë që ta konsolidojmë skuadrën dhe të jemi më profesionistë”, ka theksuar Sokoli për “Zëri”, raporton “Futbolli.info”.

Sa i përket ngecjes prej 6 pikësh me Feronikelin, Sokoli është shprehur: “Diferenca prej 6 pikësh nuk është aq e madhe dhe se a do të festojmë në fund apo jo, varet prej shumë faktorëve. Unë konsideroj se Feronikeli ka një përparësi, është favorit. Por, kemi shumë takime të ndërsjella që do t’i zhvillojmë dhe ekipi që ka koncentrim më të madh, ai do t’ia arrijë qëllimit. Unë jam optimist se ky ekip mund të luftojë për titull të kampionit, prandaj edhe jam këtu”.

Ai më tej ka folur edhe rreth kurdisjes së mundshme të ndeshjeve në fazën e tretë. “Duke i njohur rrethanat unë kam dëshirë të shpresoj. Por duke i njohur kampionatet e mëhershme…A do të ketë apo nuk do të ketë ‘fair-play’ mbetet të shohim, kam dilema…sepse i njoh se si janë zhvilluar më herët 20 kampionate, ka pasur përfundime josportive, jokorrekte. Nuk dua të merrem shumë me to, sepse detyrë e imja është të punoj me ekipin tim”, ka nënvizuar Sokoli.

Rreth zërave për bojkot të futbollistëve dhe për çështjen “Mushica”, Sokoli është shprehur: “Nuk besoj se ndonjë lojtar më bojkoton dhe nuk dyshoj në asnjë futbollist. Kam shprehur shqetësim te kryesia për mosangazhim të mjaftueshëm të lojtarëve dhe kam kërkuar të mobilizohemi të gjithë në këtë drejtim. Jam i sigurt se s’ka bojkot. Ka lojtarë që ndoshta kanë fituar çdo gjë me Prishtinën dhe motivi është më i ulët, por do të mundohemi të nxjerrim maksimumin nga ta. Sa i përket Mushicës s’kam asgjë personale me të. Kushtrimi ka rënie në formë dhe vendin e tij e ka zënë një portier kualitativ. Besojmë se Mushica do të kthehet shpejt në formën më të mirë”.