Sokoli kërkon këndelljen me Trepçën

Përjetimet e marra nga lloçi dhe humbja në Podujevë, synojnë t’i kompenzojnë me fitoren e nesërme ndaj Trepçës. Trajneri i klubit bardhekaltër, Bylbyl Sokoli, thotë se do të mundohen të shfaqin lojë të mirë.

Prishtina – Trepça, zhvillohet nesër në kryeqytet, duke filluar nga ora 13:00.

“Do të bëjmë përpjekje maksimale që të bëjmë lojë të mirë dhe rezultat të mirë. Jam optimist që djelmoshat pas ndeshjes në Podujevë do të këndellen pas atij tereni të vështirë, kemi kushte më të mira për lojë dhe shpresoj t’i rikthehemi lojërave të mira. Fusha pas një kohe që e kemi ruajtur ishte ideale për lojë”, deklaroi Sokoli për faqen zyrtare të klubit, ‘prishtinafc.com’.

Ai paralajmëroi edhe tri mungesa. “Mungesa kemi, Ahmet Haliti, Shend Kelmendi e Fisnik Ramadanaj – të lënduar. Trepçën, rivalin e nesërm, kuptohet që e respektojmë, sepse kanë pasur edhe lojëra cilësore dhe cilësia e tyre nuk përkon me pozitën e tabelës ku ndodhen, jemi të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me ekip cilësor, por besoj që me një angazhim të gjithëve t’ia arrijmë qëllimit”, ka shtuar Sokoli.

Prishtina të mërkurën u mund nga Llapi 2:1, duke u larguar nga DigitAlb Kupa e Kosovës. (Gazeta Olle)