Sokoli: Drita “prek” Evropën, Feronikeli luan në barazh, ndërsa këto dy skuadra më kanë befasur për të keq

Superliga e Kosovës në futboll po shkon drejt fundit. Ka mbetur vetëm edhe një xhiro në fundjavë që të përmbyllet ky edicion.

Ajo çfarë dihet deri më tash është se Prishtina është stolisur me titullin e kampionit, Besa i ka thënë “lamtumirë” elitës, ndërkohë edhe Gjilani që nuk ka objektiva pasi ndodhet në mes të tabelës.

Drita dhe Ballkani janë në garë ende për vendin e dytë, pozitë kjo që siguron plasmanin në garat evropiane.

Ndërkohë, në anën tjetër Llapi, Drenica, Feronikeli, Arbëria dhe Trepça ’89 ende nuk mund të frymojnë lirshëm pasi secila prej tyre është e rrezikuar për rënie direkte.

Trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli duke komentuar xhiron e fundit kampionale në Superligë, përparësi për vendin e dytë në tabelë i ka dhënë ish-kampiones së Kosovës, Dritës.

Do të varet kryesisht nga rezultatet. Sipas asaj që po zhvillohet në tabelë, përveç Prishtinës që tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, ekipi i dytë që është më afër Evropës është Drita”, deklaroi Sokoli të mërkurën për Demokracia.com.

“Profa” theksoi se në garë për ekzistencë i sheh vetëm tri klube, ndërkohë tashmë ka ndarë mendjen se cila nga ekipet do të luajë në barazh me një skuadër të Ligës së Parë.

Gara për ekzistencë do të jetë e ashpër. Arbëria, Trepça ’89 dhe Feronikeli do të luftojnë në këtë garë. Feronikeli do të jetë në barazh, kurse 89-shi dhe Arbëria do të varet nga ndeshjet direkte. Nëse Drita fiton ndaj Arbërisë atëherë gjërat dihen”, shtoi Sokoli.

Duke analizuar edicionin 2020/2021 në përgjithësi, ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare tha se Feronikeli dhe Trepça ’89 e kanë dëshpëruar shumë, pasi ai ka pritur se dy ekipet do të jenë në një pozicion tjetër.

Kam pritur më shumë nga Feronikeli dhe Trepça ’89. Dy ekipet mendoj se kanë pasur potencial. Gjithashtu ka qenë edhe Ballkani. Tri klubet kanë pasur mundësi të luftojnë për kreun. Dështimi më i madh ka qenë për Feronikelin dhe Trepçën ’89”, përfundoi bisedën Bylbyl Sokoli.

Kujtojmë se Bylbyl Sokoli është pa skuadër pasi u largua nga posti i kryetrajnerit të Gjilanit muaj më parë.

Xhiro e 36-të dhe e fundit për këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 15:00.

Çiftet e xhiros së fundit në Superligë: