Skuadrat e Superligës në mbështetje të Alban Rexhepit, futbollistit që pësoi sulm në zemër gjatë ndeshjes

Shumë prej skuadrave të Superligës së Kosovës në futboll i kanë dhënë mbështetjen e tyre Alban Rexhepit, futbollistit që pësoi sulm në zemër gjatë ndeshjes në fundjavë.

Rexhepi kishte shfaqur shenja shqetësimi në shëndet gjatë ndeshjes së Vllaznisë kundër Flamurtarit, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua se kishte arrest kardiak, shkruan Demokracia.com.

Si rrjedhojë për Rexhepin ishte e domosdoshme edhe vendosja e një stente, ndërsa bëhet e ditur se gjendja e tij është e mirë.

Ish-skuadra e Rexhepit, Llapi reagoi i pari duke i dëshiruar shërim të shpejtë futbollistit gjilanas që luan te Vllaznia e Pozheranit.

“Ish-futbollisti i klubit tonë, Alban Rexhepi gjatë ndeshjes Vllaznia Pozheran – Flamurtari ka pasur një arrest kardiak me ç’rast u desht të largohej nga ndeshja dhe pas intervenimit të mjekëve ka kaluar me sukses vendosjen e një stende. Gjendja e Albanit siq raportohet është jashtë rrezikut për jetë. Kryesia e klubit, shtabi teknik dhe futbollistët i dëshirojnë shërim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Nuk shkoi shumë kohë kur me reagime dolën edhe klubet si Prishtina, Drita dhe Gjilani, me këto dy të fundit që gjithashtu ishin klubet e Rexhepit gjatë karrierës.

“Një sfidë shumë e madhe për futbollistin Rexhepi dhe klubin “Vllaznia” nga Pozherani, ndaj përmes këtij telegrami ofrojmë mbështetje të plotë për ish-futbollistin dhe urojmë që ta kalojë këtë sfidë sa më mirë, duke shpresuar që të rikthehet sa më shpejtë në fushat e blerta”, thuhet në njoftimin e Gjilanit.

“Shërim të shpejtë, ALBAN Futbollisti i KF Vllaznisë, Alban Rexhepi ka kryer me sukses një intervenim në zemër pas shqetësimeve dhe arrestit kardiak që pësoi në ndeshje ndaj Flamurtarit. Pas kujdesit intenziv dhe intervenimit iu vendos një stendë, gjersa tashmë gjendja shëndetësore e tij është stabile. FC DRITA i dëshiron shërim dhe shëndet ish-futbollistit tonë, Alban Rexhepi. Forca Alban, rikthim sa më të shpejtë!”, thuhet në njoftimin e Dritës.

“FC Prishtina i ka përcjell me shqetësim lajmet e fundit në lidhje me futbollistin e Vllaznisë së Pozheranit, Alban Rexhepi, i cili ka pësuar një arrest kardiak në ndeshjen kampionale ndaj Flamurtarit dhe është detyruar të kryejë një intervenim në zemër. FC Prishtina është me mendje e me zemër me Albanin në këto momente aspak të lehta për të, familjen e tij dhe klubin Vllaznia. Klubi “bardhekaltër” është gati që ta ndihmojë në çdo mënyrë Albanin dhe lutet për shërim të shpejtë të tij dhe rikthimin në fushat e gjelbra”, shkruajti faqja zyrtare e klubit FC Prishtina.

 

Sulmoi gjyqtaren për një vendim që nuk i pëlqeu – klubi shkarkon menjëherë trajnerin

Skuadra e madhe shqiptare e interesuar për shërbimet e Qëndrim Zybës