Esat Mala rikthehet te Partizani. Pas dy muajve “pushime” në Turqi, mesfushori nga Prizreni rikthehet sërish në kryeqytetin shqiptar dhe vendos t’u bashkohet “të kuqve” këtë herë në formën e huazimi një vjeçar.
Futbollisti 22-vjeçar është pjesë e kryeqytetasve prej verës së 2018-ës, por në fund të sezonit vendosi të largohej si lojtar i lirë drejt Giresunsporit në Turqi, ndërsa nga ky operacion Partizani do të përfitonte vetëm pagesën e solidaritetit, si klubi që rriti dhe promovoi lojtarin.
Megjithatë problemet ekonomike në klubin turk kanë bërë që Mala të mos federohej dot dhe bashkë me mesfushorin, nuk janë federuar edhe të tjerë futbollistë që janë afruar gjatë merkatos së kësaj vere.
Në kushte të tilla, klubi i Giresunsporit ka marrë kohë për të zgjidhur problemet ekonomike dhe u ka ofruar lojtarëve të blerë në verë, që të luajnë për një sezon në huazim në skuadra të tjera, ndaj Mala ka vendosur të rikthehet te Partizani.
Burime për SuperSport konfirmojnë se marrëveshja mes palëve është arritur, ndërsa edhe drejtori sportiv i “të kuqve”, Olsi Rama pati lënë të kuptohet diçka të tillë nëpërmjet një postimi me Malën në rrjetet sociale, ku i referohet futbollistit si “një mik i vjetër dhe i ri”.
Ndërkohë që Partizani po has jo pak vështirësi në merkato, me Malën mund të thuhet se trajneri Daja heq shumë dhimbje koke, pasi futbollisti 22-vjeçar është polivalent dhe di të bëjë disa role në fushë, qoftë atë të mbrojtësit të krahut, mesfushorit, apo edhe sulmuesit anësor.