Skuadra italiane bën ofertë për transferimin e Xhuliano Skukës nga Partizani

Xhuliano Skuka mund të bëj hapin e madh në karrierën e tij duke u larguar nga kampionati shqiptar në drejtim të atij italian.

Interesi për dibranin nuk ka munguar as në verë, por pas debutimit me Kombëtaren dhe garancisë së vazhdimësisë që 24-vjeçari ka dhënë, në tavolinën e Partizanit është ulur një klub mjaft prestigjioz. Bëhet fjalë për skuadrën e Serisë A, Hellas Verona. Burime për “Panorama Sport” pranë klubit të kuq bëjnë me dije se italianët kanë bërë një ofertë fillestare për yllin e ekipit të kuq, teksa bisedimet vazhdojnë.

Gjithçka ka nisur në ndeshjen derbi, ku në stadium është parë Dritan Dervishi, drejtuesi i skautëve në klubin e Hellas Veronës, i shoqëruar nga drejtori sportiv i italianëve. Mësohet se pas ndeshjes ata kanë zhvilluar një takim me presidentin e Partizanit, Gazment Demi, të cilit i kanë bërë edhe ofertën e tyre për Xhuliano Skukën, me shifrat që mbeten ende një sekret.

Pas propozimit, presidenti Demi ka dhënë një refuzim me argumentin se Partizani po kërkon titullin dhe Skuka është shumë i rëndësishëm, por edhe nuk ka qenë shumë i bindur nga shifra e ofruar për “xhevahirin” e skuadrës së tij.

Gjithsesi, Hellas Verona po vazhdon të këmbëngulë për ta marrë Skukën që në janar dhe negociatat vazhdojnë ende, teksa në ditët në vijim në “emailin” e klubit të kuq pritet të vijë një ofertë e re e përmirësuar.

Pasaporta franceze e Skukës është gjithashtu një favor i madh, sepse ai nuk konsiderohet si ekstrakomunitar. Vetë Skuka, natyrshëm do të donte të transferohej në Serinë A, por në kushtet aktuale gjithçka është në dorën e Partizanit, pasi dibrani ka edhe dy sezone e gjysmë kontratë si “dem”.

E kryer, Ronaldo do t’i bashkohet skuadrës arabe Al Nassr

Legjenda holandeze Marc Overmars në gjendje të rëndë, pëson sulm në tru