Skuadra e Superligës nënshkruan me talentin serb nga Graçanica

Flamurtari i Prishtinës pritet ta bëjë një transfer interesant ditën e nesërme (e enjte).

Burime të Zëri.info të afërta me skuadrën “kuqezi” na mësojnë se Flamurtari do ta zyrtarizoi të enjten mbrojtësin 17-vjeçar Ilije Ivic i cili vjen nga Graçanica.

Futbollisti serb tash e një kohë është duke stërvitur me skuadrat e grupmoshave të Flamurtarit, derisa drejtuesit e klubit kanë vendosur që t’i ofrojnë kontratë profesionale.

Ivic është vetë ofruar në klub ndërkohë që bëhet fjalë për një futbollist shumë të talentuar sipas drejtuesve të klubit.

“Ai pritet të nënshkruaj një kontratë pesë-vjeçare me Flamurtarin pasi është konstatuar se bëhet fjalë për një lojtar me shumë perspektivë”, ka thënë për Zeri.info një burim i afërt me klubin kryeqytetas.

Flamurtari deri më tash zyrtarisht nuk e ka transferuar asnjë lojtar.

Nga skuadra janë larguar Egzon Krasniqi te Llapi dhe dyshja nga Maqedonia Veriore, Riste Ilijovsk, Ersin Fetahi.

Kuqezinjtë prishtinas do të luftojnë për mbijetesë në elitë, ashtu si vitin e kaluar.

Ata e mbyllën stinorin vjeshtor me fitoren e madhe në Podujevë ndaj Llapit, 4:1.

Flamurtarin në stinorin pranveror do ta drejtojë trajneri Bylbyl Sokoli.