Ish-sulmuesi i Kukësit, Mirlind Daku, pak ditë më parë u pajis me pasaportën shqiptare, teksa do të jetë gati për t’iu bashkuar Kombëtares kuqezi të Silvinjos, pas “divorcit” me Kosovën.
Daku e përmbylli një edicion të suksesshëm në elitën e futbollit të Sllovenisë me skuadrën Mura. Pas përfundimit të sezoni 2022/2023, sulmuesi u kthye te skuadra e tij, Osijeku, që e kishte huazuar në Slloveni.
Është pikërisht Osijeku klubi që e disponon kartonin e 25-vjeçarit, teksa kontrata e tij skadon në verën e vitit 2024. Por, Daku mund të mos mbetet në Kroaci. Ai pritet të kalojë në elitën e futbollit rumun.
Rapidi i Bukureshtit ka shprehur interesim për shërbimet e Dakut, që me Muran në edicionin e kaluar realizoi 22 gola dhe pati dy asistime në 37 ndeshje në të gjitha garat.
Rapidi i Bukureshtit e mbylli kampionatin rumun në vendin e pestë. Po shpreson që në edicionin e ardhshëm të garojë për titull kampioni. Ky klub ka bërë gjashtë transferime në verë dhe Daku pritet të jetë i shtati.
Mediat rumune kanë shkruar se FC Rapidi ka bërë ofertë zyrtare për kosovarin, teksa në ditët në vijim pritet të konfirmohet e ardhmja e Dakut.