Skela: Broja është diamanti i Kombëtares së Shqipërisë

Ervin Skela nuk e humbet kurrë klasin. As kur kritikon dhe as kur bën sugjerime. Asnjëherë bajat, përkundrazi, shumë i kujdesshëm për të evituar polemikat. Nuk e fsheh zhgënjimin që përjetoi pasi la futbollin, por është një lab atipik, sepse është nga ata që edhe kur vendosin të të kritikojnë, e bën duke të “gjuajtur me pambuk”. Pa deklarata të forta, por gjithsesi i drejtpërdrejtë.

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, e thotë hapur se është ndier keq që FSHF nuk i ofroi asgjë pasi la futbollin. “E kuptoj që jo gjithmonë ka diçka për të ofruar, por ndonjëherë mjafton edhe një telefonatë kortezie: ‘A je mirë? A të duhet diçka?’ Nuk ndodhi për fat të keq. Askush nuk pyeti për mua”, thotë vlonjati që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në Kombëtare.

Një nga lojtarët më të dashur nga tifozët vite më parë, sot ka disa “porosi” speciale për Kombëtaren. “Broja është diamanti ynë. Mendoj që rreth tij duhet të ndërtohet gjithçka. Balliu më pëlqen shumë, por nuk e di pse nuk ka luajtur…”, thotë ish-fantazisti kuqezi.

Edi Reja është kritikuar shpesh për mënyrën se si i menaxhon lojtarët e rinj dhe me teknikë, mes të cilëve edhe Broja. Ju si mendoni? Reja ka shumë eksperiencë dhe natyrisht që ai do ta ruajë pozicionin dhe autoritetin e tij. Ndonjëherë të jesh i talentuar nuk do të thotë ta kesh të garantuar vendin e titullarit. Por ama Broja është tjetër gjë.

Në ç’kuptim? Broja është “diamanti” i Shqipërisë sot. Shqipëria, për aq sa unë e njoh historinë e Kombëtares, nuk ka pasur kurrë një si Broja. Kam luajtur me futbollistë të mëdhenj në epokën time dhe kam shumë respekt për të gjithë, por nuk kam parë asnjë si Broja. Nëse unë do të isha trajneri i Shqipërisë, do ta ndërtoja gjithçka rreth tij.

U largua nga Gjilani, Fiton Hajdari arrin marrëveshje me klubin e ri

Shqipëria U17/ Bahaj dhe Dashi në kor: Ëndërrojmë Kombëtaren e madhe