Skandal: Kombëtarja e femrave në një hotel me lojtarët e Skënderbeut

Një çudi shqiptare ka ndodhur këtë javë (dhe mbase jo vetëm) në kompleksin “Tropikal” në qytetin e Durrësit.

Skuadra kombëtare e femrave është grumbulluar në të njëjtin hotel me ekipin e Skënderbeut, meqë po përgatitet për ndeshjen e sotme me Ukrainën, e vlefshme për Kampionatin Evropian. Kjo vështirë se mund të ketë ndodhur ndonjëherë në ndonjë shtet tjetër.

A mund të quhet ky skandal? Sigurisht, por edhe nëse përgjigjja mund të jetë relative dhe pas saj mund të vijë një shpjegim, skandali vazhdon me një ngjarje që të lë një shije aspak mirë. Mësohet se trajneri i përfaqësueses, Altin Rraklli të mërkurën mbrëma është thirrur nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit për të raportuar, pasi një nga futbollistet e ekipit kombëtar të femrave është ngacmuar nga një lojtar i kampionëve të Shqipërisë. Lajmi vjen nga burime të sigurta pranë përfaqësueses kuqezi dhe pritet që në ditët në vazhdim të ketë detaje më të hollësishme. Madje, është përmendur edhe një emër konkret, por që mbetet për t’u konfirmuar plotësisht dhe për këtë arsye redaksia vendosi të mos e publikojë, shkruan Sport Ekspres në Shqipëri.

Duhet theksuar se ky nuk është rasti i parë që ekipi i vajzave përfshihet në skandale. I fundit u raportua disa muaj më parë në median “online”, ku zbuloheshin disa mesazhe të një futbollisteje, e cila ngacmohej nga trajneri i saj. Gjithashtu, asokohe u hap edhe një debat për orientimin seksual të futbollisteve të Kombëtares, teksa qarkulluan disa foto të njërës prej lojtareve në çaste intime me një vajzë tjetër apo edhe rrëfime e dëshmi nga lojtaret për këtë çështje.