Sigal Prishtina: Në Ligën Ballkanike apo ‘Euro Cup’

Kampionia e Kosovës dhe e Ligës Ballkanike, Prishtina, nuk ka mundësi të plotësojë kriteret që kërkon FIBA për pjesëmarrje në ‘Euro Cup’, sidomos për shkak të palestrës joadekuate.

Prishtina do të kërkojë nga FIBA të ketë mirëkuptim, por nëse nuk e gjen këtë mirëkuptim, atëherë do të vazhdojë me gara në Ligën Ballkanike. E Dëshira e saj është që të marrë pjesë njëkohësisht në të dy garat ndërkombëtare.

Drejtuesit e Sigal Prishtinës po anojnë nga pjesëmarrja në Ligën Ballkanike për edicionin 2015/16. Në fakt, ata janë të interesuar të marrin pjesë në ‘Euro Cup’ apo në të dy garat njëkohësisht, por inkuadrimi në garën e nivelit të dytë kontinental që mbahet në patronazhin e FIBA-s, ‘Euro Cup’, nuk është aspak i lehtë.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në fillim të këtij muaji ka nominuar Sigal Prishtinën si kampione të Kosovës për pjesëmarrje në ‘Euro Cup’. Sigal Prishtina nuk e ka problem buxhetin e madh që kërkohet. Problemi më i madh mbetet palestra. Kështu ka thënë drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, të mërkurën. “Ne duam të marrim pjesë edhe në BIBL edhe në ‘Euro Cup’, ndonëse ende nuk kemi vendosur për asnjërën.

Kjo është dëshira jonë dhe deri javën e ardhshme gjithçka do të zyrtarizohet”, është shprehur Miftari për ‘Kohën Ditore’. Sipas Miftarit, palestra e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve ku Sigal Prishtina i zhvillon ndeshjet si vendase nuk i plotëson kushtet për garat në ‘Euro Cup’.