Si e fitoi Prishtina Kupën?

Trajneri i Prishtinës në konkurrencën e femrave në basketboll, Fidan Shatri, tregon se si vashat e tij e fituan Ipko Kupën e Kosovës në basketboll.

Kryeqytetaset mposhtën Yllin në finalen e luajtur të dielën në Suharekë.

“Normal që ishte e vështirë, pasi që finalja i ka specifikat e veta, por kam besuar shumë në lojtaret e mia, pasi kemi punuar shumë dhe me shumicën e lojtareve jemi bashkë qe një kohë të gjatë dhe normal është më lehtë që të kalohen sfidat. Kemi qenë pjesë e tri finaleve rresht dhe është fituar përvoja e duhur për lojë vendimtare”, deklaroi Shatri për Gazetën Olle.

“Kemi hyrë në ndeshje pak të ngarkuar në fillim, por pas minutës së pestë të çerekut të parë kemi filluar të zhvillojmë atë lojën tonë, e cila në dy qerekët e parë arritëm që të shkojmë në pushim prej 13 pikëve epërsi”, shtoi ai.

Shatri theksoi se në pjesën e dytë, vajzat u liruan paksa, dhe se loja e tyer doli nga sistemi. “Do të qëndrojmë me këmbë në tokë, do të vazhdojmë me punë maksimale në kushtet të cilat punojmë dhe besoj që ky edicion do të përfundojë pa asnjë humbje”, deklaroi ai.