Shtyhet përfaqësimi debutues i Kosovës në Serbi

Debutimi i sportistëve kosovarë në garat që mbahen në Serbi është shtyrë edhe për një kohë, si disa herë deri më tash.

Ishin mundësit ata që paralajmëruan pjesëmarrjen në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike “Rio 2016” që do të mbahet në Zrenjanin të Serbisë nga 15 deri më 17 prill.

Federata e Mundjes e Kosovës konfirmoi më herët se ka bërë paraqitjen preliminare e më pas edhe paraqitjen finale për dy mundës, duke respektuar kështu të gjitha afatet. Madje FMK-ja kishte thënë se do të dërgonte mundësit në përgatitje që sa më të gatshëm ta presin garën e rëndësishme që do të mbahet pas një jave në Serbi.

Të enjten, megjithatë, është bërë e ditur se pjesëmarrja në Serbi do të anulohet. Mundësit Kastriot Sedolli e Edon Shala nuk do të udhëtojnë për të garuar në Zrenjanin, pasi pak ditë më vonë ata do të udhëtojnë për në Ulaanbaatar të Mongolisë ku do të mbahet turneu i parë botëror kualifikues për “Rio 2016”. Ky turne mbahet prej 22 deri më 24 prill, shkruan Koha Ditore

“Prej garës në Serbi normën e sigurojnë vetëm finalistët, pra vetëm dy vendet e para për kategori. Është e vështirë në këtë moment që mundësit tanë të arrijnë dy vendet e para. Ndërkohë në Mongoli normën olimpike e sigurojnë tre të parët në kategori, pra është një mundësi më shumë. Pasi mundësia është më e madhe po mendojmë që më mirë është të garojmë në Mongoli. Po ashtu mundësit tanë për garë duhet të heqin 7-8 kilogramë. Heqja e kilogramëve është më e lehtë, por mbajtja e peshës së duhur për një javë është shumë e vështirë. Nëse mundësit paraqiten në Serbi e tani në Mongoli do të lodhen shumë dhe do të kenë vështirësi për të mbajtur peshën e duhur, pasi garat janë vetëm katër ditë ndërmjet. Vendimi që të mos udhëtojmë në Serbi nuk është ende i sigurt, do të shikojmë javën e ardhshme. Por ne po mendojmë që më mirë është të mos i lodhim garuesit”, ka thënë trajneri i Kosovës, Sylejman Shala.