Shtatë pikë larg, Mentor Zhdrella, kënga e Ledri Vulës, vargjet autoriale për të ardhmen dhe apeli….rrëfehet Afrim Tovërlani

Xhiroja e 27-të në elitën e futbollit kosovar solli shumë risi. Feronikeli me fitoren në Vushtrri (1:0), u shkëput shtatë pikë nga vendi i dytë, pasi që Hajvalia që  ndodhet në atë pozitë, barazoi me Prishtinën (0:0), në fushën e kësaj të fundit.

Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, në një intervistë për ‘sovrani.info’ rrëfen situatën nëpër të cilën po kalon klubi i tij.

Plus shtatë pikë larg vendin të dytë, a ka arsye për festë Afrim Tovërlani dhe skuadra e tij?

Tovërlani: Jo, as që më shkon mendja për festë. Janë është shtatë ndeshje dhe asgjë nuk ka përfunduar. Secili mund ta mposht secilin dhe kjo na bënë të kujdesshëm që të ‘luftojmë’ në çdo ndeshje me radhë.

Është rikthyer me gol edhe Mentor Zhdrella, një ‘armë’ me shumë apo jo?

Tovërlani: Po, sigurisht se një armë më tepër dhe të gjithëve në klub na erdhi mirë që u kthye me gol pas operimit dhe vuajtjeve jashtë fushës. Këtë javë presim që të kthehet edhe Behar Maliqi.

Fituat në Vushtrri, ish-klubi juaj Prishtina ju beri ‘nder’ duke e ndalur Hajvalinë, si e vlerësoni xhiron që e lamë pas?

Tovërlani:  E fituam një ndeshje shumë të vështirë dhe me rëndësi. I përgëzoj lojtarët për angazhimin dhe qetësinë që e treguan. Ishte fitore shumë e vlefshme. Sa i përket ndeshjes Prishtina – Hajvalia, kam thënë edhe më herët se punët e huaja nuk më interesojnë. Mendoj se Prishtina ka luajtur dhe ‘luftuar’ për vete. Unë i dëshiroj suksese dhe ikje nga pozita ku ndodhet.

Mbrëmë postuat nj status me këngën e Ledri Vules SRMN duke shkruar: “Pe ngoj:nese ke fobi prej naltsis,mos rri me neve…….e mir koka….”…

Tovërlani: Duke u kthyer nga Drenasi pas mbledhjes e dëgjova në radio dhe e postova atë shkrim, pa dedikim të caktuar. Është e drejt e imja të postoj çfarë të dua në ‘Facebookun’ tim duke mos e ofenduar askënd dhe duke ruajtur personalitetin tim si trajner dhe njeri me fakultet dhe licencë profi. Edhe pse fakulteti e licenca nuk do të thotë që të bëjnë njeri. Se di, ndoshta në të ardhmen filloj me postu edhe vargje qe do t’i thuri vet.

Dëshironi të shtoni diçka?

Tovërlani: Ju dëshiroj punë të mbarë dhe ju lutem mis mi ngacmoni kolegët dhe mos i keqpërdorni.