Shtatë betejat e Lorik Canës

Fama e tij prej “luftëtari” është e njohur në të gjithë Botë. Kushdo që e ka ndjekur shqiptarin në aksion me fanellat e Paris Saint-Germain-it, Olympique Marseille-s, Sunderland-it, Galatasaray-it, Lazio-s dhe tani Nantes e di fare mirë se kjo nofkë nuk është e rastësishme.

Me 89 ndeshje ndërkombëtare, kapiteni është po ashtu lojtari me më shumë paraqitje për vendin e tij. Në moshën 33-vjeçare ai ka nderin që të drejtojë ekipin e tij në EURO 2016. Është ngjarja e parë e madhe në të cilën është kualifikuar Shqipëria. Gjatë një interviste të publikuar në portalin e “FIFA”-s ai rrëfen rrugëtimin e tij të dyfishtë…

Mbijetesa – “Vij nga Kosova. Në vitin 1990 shpërtheu konflikti i madh në Jugosllavi, të cilës i përkiste Kosova në atë kohë. U larguam së bashku me familjen. Si shumë bashkëkombës shqiptarë nga Kosova apo Maqedonia, emigruam në Gjermani dhe Zvicër. Familja ime zgjodhi Zvicrën. Ndërsa në 2000 unë u transferova në Paris te PSG-ja ku dhe mbarova studimet.

Trashëgimia – “Babai im ishte futbollist profesionist dhe them se kam trashëguar prej tij shpirtin luftarak. Ai gjithnjë ka dhënë maksimumin dhe ishte një fitues i vërtetë. Ka qenë i ashpër me mua dhe më ka ndihmuar që të rritesha si në aspektin njerëzor dhe në atë profesional. Më ka shtyrë gjithmonë që të jap më të mirën, që të kem sukses, pasi e ka ditur se mund t’ia dal. Ai më ka bartur vlera dhe më ka mësuar që kurrë të mos dorëzohem. Më pas kuptova rrugën e jetës së familjes sime dhe situatën e vështirë të njerëzve që më kanë qëndruar prapa, u motivova edhe më tepër. Gjithë kjo pasqyrohet në mënyrën e lojës sime në fushë”.

Karriera – “Kur isha pjesë e ekipit të dytë te PSG-ja, kam pasur dëshirë të madhe për sukses. Antoine Kombouare ishte trajneri im. Ai më ka ndihmuar që të kaloj pengesat psikologjike. Konflikti në vendin tim të origjinës, që sapo kishte përfunduar, forcoi dëshirën time. Dëshiroja të isha i suksesshëm dhe të tregoja veten në Paris. Është një ekip ku gjithnjë ishte e vështirë për të rinjtë që të kalonin nga Akademia te ekipi i parë. Kështu që unë dhashë çdo gjë nga vetja, shfaqa tërë inatin dhe dëshirën për realizimin e synimit që i kisha vendosur vetes. Atje krijova reputacionin që më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës.

Vendi – “Unë kam dashur gjithnjë që të përfaqësoj Shqipërinë dhe shqiptarët. Që kur luaja për Parisin, mu dha mundësia që të mbroja ngjyrat e mia. Kam pasur nderin që, për herë të parë, të marr ftesë që në moshën 19-vjeçare nga Kombëtarja. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm për shqiptarët, të cilët janë më të shumtë jashtë kufijve të vendit se sa brenda. Ekipi u dha shqiptarëve mundësinë që të bashkohen nën të njëjtin flamur dhe të arrijnë diçka së bashku. Shumë lojtarë kanë lindur dhe janë rritur jashtë. Ekipi ynë na mundësoi të punojmë së bashku që të arrijmë diçka të bukur për herë të parë. Ky është shpjegimi i unitetit të grupit tonë që më vonë mundësoi kualifikimin në ‘Euro 2016’”.

Kombëtarja – “Unë gjithnjë jam munduar t’i bind shqiptarët më të mirë që të luajnë për ekipin kombëtar. Është një përfaqësuese me prespektivë vetëm se i duhet dhënë pak kohë. Ne kemi shumë lojtarë të mirë që kanë pasur mundësinë të formohen jashtë. Rrjedhimisht kemi arritur të kualifikohemi për në Europian, gjë që para tri apo katër vitesh dukej e pamundur. Para vitit 2000 kemi pasur ekipin që ka reflektuar shtetin e Shqipërisë. Sot kemi ekip nacional, me të cilin shqiptarët ndihen vërtet të përfaqësuar. Lojtarët e ndiejnë këtë. Sa më mirë të paraqiteshim në Eliminatore aq më shumë njerëz ndiqnin ndeshjet tona dhe presioni rritej. Ishte me rëndësi që t’ia dilnim që të përballeshim me atë. Jam në Kombëtare edhe për motive që nuk i përkasin aspektit futbollistik. Bëj rrufepritësin kur ka acarime si dhe ndihmoj të rinjtë që të mos kenë emocione. Kombëtarja u takon atyre që e meritojnë dhe atyre që duan të jenë pjesë e saj”.

E ardhmja – “Ne jemi të përqendruar te një datë: 11 qershor. Ndeshja e parë do të jetë shumë e rëndësishme. Mendimet e mia shkojnë vetëm deri në këtë pikë. Nuk kam mundur të ëndërroj diçka më të mirë që lidhet me vendin tim se të kualifikohemi për në Francë. Nuk mund të them ç’farë do të ndodhë në të ardhmen, pasi janë shumë lojtarë të rinj që po zhvillohen. I kam shoqëruar ata në të tërë këto vite, por të gjithë e dinë se në një moment duhet të dish të hapësh rrugën. Unë do të bisedoj pas Europianit me Federatën dhe me familjen për të marrë një vendim. Jam i vetëdijshëm se kjo mund të jetë sfida e madhe e fundit për mua. Shumë lojtarë janë 23 apo 24 vjeç dhe luajnë në ligat më të mira. Në kualifikimet për Botërorin e Rusisë dhe në ciklet e ardhshme do të vijë në shprehje freskia e tyre dhe dëshira për të dhënë kontribut. Jemi në grup të fortë me Spanjën e Italinë, por Shqipëria ka mundësi për një cikël të mirë kualifikues. Personalisht unë do të marr vendimin që është më i miri për mua, por edhe për ekipin, për zhvillimin dhe reputacionin e ekipit nacional. Lojtarët e rinj duhet të arrijnë nivelin më të mirë të tyre, në të kundërtën ne nuk duhet të humbim shumë kohë. Ne do të analizojmë me kujdes. Kjo do të ndodhë pas Europianit dhe pushimeve verore. Në çdo rast unë do të jem pranë ekipit edhe nëse nuk do të jem në fushë”.