Shqiptarja që po shkëlqen në Suedi

Në ditën e parë të Turneut të pingpongut për Kualifikime në Lojërat Olimpike Evropiane ITTF 2016 në qytetin suedez të Halmstadit, Vlona Maloku nga Kosova ishte në detyrë për befasinë më të madhe të këtij kampionati.

Në rrugën e saj drejt fitores së parë për Kosovën në kualifikimet olimpike, ajo mposhti Amelie Soljan e Austrisë.

“Stili i Soljas ishte shumë i vështirë për mua. Isha nën stres në fillim duke gjetur taktikat. Nisa me ‘backhand’, por pas gemit të dytë u gjeta mirë me këtë taktikë”, ka thënë Maloku, raporton Koha.net.

Vlona Maloku, e cila aktualisht në ranglistën botërore radhitet në pozitën e 527-ë, ka nisur karrierën e saj në Slloveni, por më pas u zhvendos në Kosovë.

“Kam luajtur për Slloveninë në Kampionatin Evropian në Bratisllavë dhe kam luajtur në shumë turne tjera në rajon. Më pas u zhvendosa në Prishtinë”, sqaron Maloku për ETTU.org, e cila vuri në dukje dallimet mes Kosovës dhe pjesës tjetër të ekipeve. “Jam studente universiteti tani. Për të gjithë ne, pingpongu është hobi, sepse nuk kemi mbështetje financiare për sportin tonë. Nuk kemi bërë fare përgatitje për kualifikime. Kur shikoni përreth, i shihni gjithë këta lojtarë profesionistë dhe ne s’mund ta përballojmë këtë financiarisht”.

“Kjo është fitorja e parë e pingpongistëve kosovarë për lojëra olimpike. Në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike, Rio 2016, Kosovën në Halmstad të Suedisë e përfaqësojnë Vlona Maloku dhe Linor Çitaku”, ka thënë Fadil Luta, sekretar i përgjithshëm i Federatës së pingpongut të Kosovës.

Ueb-faqja zyrtare e turneut, ITTF.com, shkroi se për Malokun ishte një përformancë e mirë.

Me gjithë suksesin në garën e parë, në të dytën ajo u mposht nga çekja Hana Matelova, e cila rangohet në pozitën e 83 në botë.

Por, edhe përkundër humbjes së dytë, shpresat për Vlona Malokun që ta rrëmbejë një vend në fazën e dytë të turneut janë të mëdha.

Lojtaret që përfundojnë në top-tri pozitat e secilit grup vazhdojnë tutje në fazën e dytë.