Jemi mësuar që të shkruajmë për futbollistë të ndryshëm shqiptarë që kanë lënë gjurmë të mëdha në futbollin zviceran.
Grasshoppers Zurich është padyshim klubi më i madh në Zvicër, me 27 tituj kampioni e 19 Kupa të Zvicrës.
Por tanimë ka dy vite që në krye të kësaj skuadre është një shqiptar, me një pozitë shumë të lartë menaxhuese.
Fjala është për Shqiprim Berishën, djaloshi nga Gjakova që aktualisht është drejtor menaxhues tek skuadra më e madhe zvicerane, Grasshoppers.
Berisha për një kohë ka mbajtur pozitën edhe të drejtorit sportiv tek kjo skuadër dhe ka arritur sukses shumë të madh duke e rikthyer GC-në në elitën e futbollit zviceran.
Gjatë vizitës së Telegrafit në Zvicër, kemi bërë një intervistë ekskluzive me Shqiprim Berishën, i cili na priti në stadiumin legjendar ‘Letzigrund’, duke folur për shumë gjëra.
Berisha për Telegrafin ka thënë se është shumë i lumtur që ka një pozitë të tillë te Grasshopper, derisa falë tij në këtë klub po vazhdon shkëlqimi edhe i futbollistëve shqiptarë.
“Për mua personalisht është një avantazh i madh sepse kam mundësi t’i ndihmojë edhe shqiptarëve. Shqiptarët në Zvicër kanë arritur shumë, jo vetëm në futbolli, por edhe në ekonomi të Zvicrës kanë pozita shumë të larta. Unë e shoh vetën këtu në shërbim të popullit të GC-së”.
“Jam krenar që jam pjesë e klubit më të madh zviceran dhe mund t’i ndihmojë edhe futbollistëve shqiptarë”, tha fillimisht Shqiprim Berisha për Telegrafin.
Tutje Berisha ka treguar edhe për futbollistët shqiptarë që ka në klubin që udhëheq, duke thënë se vetëm në ekipin e parë ka gjashtë futbollistë shqiptarë.
“Për momentin kemi gjashtë futbollistë shqiptarë në ekipin e parë si Lenjanin, Abrashin, Demhasajn, Hoxhën, Uka e Kacuri”, tha Berisha.
Berisha tregoi se nga ekipi A deri në U-7 të Grasshoppersit ka shumë lojtarë shqiptarë, ku nga secila grupmoshë janë rreth dy deri në katër futbollistë shqiptarë.
Tek kjo skuadër e madhe zvicerane, aktualisht kapiten i saj është mesfushori fantastik shqiptar, Amir Abrashi.
Berisha ka treguar se e përcjell edhe futbollin kosovar dhe se në të ardhmen mund të ketë edhe lojtarë nga Kosova që do t’i bashkohen GC-së.
39-vjeçari thotë se ka marrëdhënie shumë të mira me menaxherë të ndryshëm shqiptarë, por më së miri qëndron me Erdin dhe Arbër Shaqirin, dy agjentë tejet të suksesshëm që menaxhojnë shumicën e yjeve shqiptarë si Xherdan Shaqiri, Florent Hadergjonaj, Albian Ajeti, Amir Abrashi, Ermir Lenjani e të tjerë.
Dëshira e madhe e Berishës ishte që ta transferojë mesfushorin portugez Joao Moutinho te GC, por ajo nuk ishte e mundur falë edhe pagës shumë të lartë që fiton mesfushori në Wolverhampton.
Aktualisht GC është nën pronësinë e investitorëve nga Kina të cilët janë pronarë edhe të skuadrës angleze Wolverhampton Wanderers.
Gjakovari është një bashkëpunëtor shumë i madh i agjentit të famshëm portugez Jorge Mendes, derisa thotë se në momentin që Ronaldo të vendoste të largohej nga Manchester United do të tentonte ta binte në GC, edhe pse një gjë e tillë është thuajse e pamundur, pasi sipas Berishës CR7 do të rikthehet te Sporting.
Një transferim të madh mund ta bëj ai te GC dhe ai është Xherdan Shaqiri. Berisha thotë se do të tentojë në të ardhmen që Shaqirin ta sjell në qytetin e bukur të Zurichut në momentin që ai vendos të rikthehet në Zvicër.
Për më shumë ndiqeni video intervistën e agjentit të suksesshëm shqiptar në krye të Grasshoppersit.