Shqiponjat: Nuk kemi armiqësi me Plisat

Pas incidenteve që ndodhën në palestrën e sporteve në Suharekë gjatë finales së Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Shqiponjave të Pejës dhe Plisave të Prishtinës, ka reaguar kryetari i tifo-grupit pejan, Nermin Ferizi.

Në një prononcim për gazetën, ai tregon se Shqiponjat janë kundër çdo konflikti me tifo-grupet shqiptare, përfshirë këtu edhe Plisat.

“Jemi mbledhur para ndeshjes ndaj Prishtinës dhe jemi munduar që t’i parandalojmë incidentet dhe fyerjet. Por është shumë e vështirë të ndalen 400-500 tifozë kur dihet rivaliteti me Prishtinën, aq më tepër kur tifozët e tyre me të hyrë në palestër kapin organet gjenitale, provokojnë dhe shajnë. Ne mund të kemi rivalitet me disa tifozëri, por nuk kemi armiqësi. Unë jam kundër fyerjeve. Jemi të gjithë shqiptar dhe Kosova është e jona”, deklaroi Ferizi për Gazetën Olle.

Kjo nuk është hera e parë që ai thërret për qetësi, duke tentuar t’i normalizojë marrëdhëniet me të gjitha tifo-grupet kosovare. /Gazeta Olle