Nuk ka aspak histori sfida eliminatore e Europianit mes Republikës Çeke U21 dhe Shqipërisë U21, pasi vendasit përfituan maksimalisht nga dy “dhurata” fantastike të portierit Marko Alia dhe morën një fitore të pastër 4-0.
Shpresat e drejtuara nga Alban Bushi e nisën mirë ndeshjen dhe u shfaqën agresivë, por nga një pasim pa pretendime në zonë i çekëve, Marko Alia gabon në zotërimin e topit dhe ia dhuron atë sulmuesit kundërshtar, që e pati të lehtë ta dërgojë në rrjetë.
Provojnë të reagojnë kuqezinjtë (që sot luanin me fanellën e bardhë), por në minutën e 13’ portierit Alia i shpëton një tjetër top i letë nga duart dhe vendasit nuk falin, pasi e ndëshkojnë për herë të dytë.
Nga ky moment gjithçka bëhet më e lehtë për çekët, që në minutën e 32-të shënuan edhe golin e tretë me Danek, ndërsa dy minuta më vonë, Mario Gjata la fushën e lojës i dëmtuar, për t’u zëvendësuar nga sulmuesi shkodran Mehdi Çoba.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm më të mirë për kuqezinjtë, që provuan të rihapin takimin dhe të rikthehen në lojë, por ishte e vështirë të gjenin hapësira në prapavijën vendase, teksa gjithçka u komplikua totalisht në minutën e 71-të, kur Mario Mitaj mori kartonin e dytë të verdhë dhe la të tijtë me një lojtar më pak.
Pikërisht këtu përfundoi ndeshja për Shpresat e Shqipërisë, ndërsa Republika Çeke krijoi disa mundësi shënimi dhe ia doli të gjejë edhe golin e katërt me anë të Sulc në minutën e 83-të.
Kjo ishte ndeshja e dytë në grup e kuqezinjve, që e nisën me një fitore bindëse 3-0 ndaj Andorrës, por nuk arritën të ruanin ecurinë pozitive, ndërsa sfidat e ardhshme do të jenë ndaj Andorrës e Sllovenisë më 7 dhe 11 tetor në Shqipëri.