Shqipëria U21 u mposht 1-3 nga Zvicra në “Air Albania”, duke komplikuar rrugëtimin drejt një vendi në Euro 2025, teksa trajneri Alban Bushi nuk e fshehu zhgënjimin, veçanërisht për faktin që skuadra u ndëshkua pas disa gabimeve individuale.
Sa i zhgënjyer jeni nga ky rezultat, duke pasur parasysh që e nisëm shumë mirë edicionin?
Ne e dinim forcën e Zvicrës, që ishte më e mirë se ne në letër, por edhe në fushë. Megjithatë zhgënjimi është që ne ndëshkohemi për gabimet tona. Ata e kontrolluan ndeshjen, por sërish ne golat e falim vetë. Nuk duhet të bëjmë gabimet individuale, por më pas edhe mund të humbim, siç u mposhtëm sot.
A mund të themi se objektivi i kualifikimit është komplikuar tashmë?
Ne duhet të dimë edhe limitet tona. Na vjen keq që humbim, por dimë edhe nivelin e kundërshtarin. Ne përgatitemi të bëjmë më të mirën, por kundërshtarët janë shumë të fortë dhe duhet të rrimë me këmbë në tokë. Për më tepër, Zvicra vinte nga pushimi 10-ditor, ndërsa ne e kishim ndeshjen e dytë pas katër ditëve. Megjithatë kemi edhe 9 pikë në lojë dhe duhet t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund.
A keni planifikuar të sillni edhe emra të tjerë në ndeshjet e mbetura?
Ne edhe sot kishim 2-3 lojtarë të rinj, që i kemi edhe për plane afatgjata. Dua të sjell në vëmendje Fetain, vitlindje 2005-a, që është këtu edhe për dy vitet e ardhshme. Dua ta falënderoj që e kemi në skuadër, pasi është një numër 6 i shkëlqyer për Shqipërinë. Mund ta krahasoj me Altin Lalën dhe ishte për herë të parë me ne, por e kemi fituar si lojtar, pasi bëri paraqitje fantastike. Natyrisht që kemi në vëmendje edhe emra të tjerë, që do të provojmë t’i ndjekim apo t’i afrojmë.
Sa keqardhje keni për tifozët, që ishin të pranishëm, por nuk arritën të festojnë?
Na vjen keq, pasi na kanë mbështetur shumë dhe kanë qenë një suport i fortë. Nuk mund të them që i zhgënjyem, pasi luftuam, por bëmë disa gabime individuale. Megjithatë tani gjithçka përfundoi dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e tjera. /ss/