Shqipëria me fat, Spanja humb lojtarin më në formë ndaj kuqezinjve

Edhe dy ditë na ndajnë nga miqësorja e shumëpritur mes Spanjës dhe Shqipërisë që do të luhet të shtunën në orën 19:45 në stadiumin e Espanyolit.

Spanjollët kanë humbur sot një nga emrat e rëndësishëm të grumbulluar nga Luis Enrike. Futbollisti i Espanjol, Raul De Tomas, i cili është sulmuesi më në formë aktualisht nuk do të jetë në fushë ndaj Shqipërisë.

Gjatë seancës së sotme stërvitore, ai ka marrë një goditje në shpatull dhe pasi ka ndjerë dhimbje, është vendosur menjëherë që të ndërpriste stërvitjen dhe të largohej në dhomat e infermierisë.

Pas kontrollit të mjekëve, edhe pse nuk dukej diçka shumë shqetësuese, Luis Enrike vendosi t’i jepte leje lojtarit që të largohej nga grumbullimi, meqenëse ishte e pakuptimtë që të rrezikohej një dëmtim serioz në ndeshje miqësore.

Raul De Tomas është kthyer në lojtarin lider tek Espanjol në këtë edicion, duke shënuar 14 gola në La Liga teksa është vënë në shënjestër të merkatos të klubeve më të njohura.

Ai pritej të luante titullar ndaj Shqipërisë meqë ndeshja zhvillohej pikërisht në stadiumin e Espanjol, por tashmë Luis Enrike do të duhet të ndryshojë planet e tij për repartin e avancuar dhe duhet të vendosë për dikë tjetër nga fillimi.

Selmani: I lumtur për golin e parë, sidomos që erdhi para trajnerit të ri

(Video) Gareth Bale shënon një nga golat më të bukur që keni parë në vitin 2022