Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë mjaft entuziaste pas fitores minimale 1-0 ndaj Hungarisë, që ka forcuar shpresat për të tentuar një vend në Katar 2022, ndërsa mendja e trajnerit Reja është te sfida e radhës ndaj San Marinos sot në orën 20:45, sërish në “Elbasan Arena”.
Klaus Gjasula nuk do të jetë në dispozicion për sfidën e nesërme pasi ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa në listën e mungesave janë edhe Amir Abrashi, Sokol Cikalleshi dhe Lorenc Trashi të cilët janë të dëmtuar.
Megjithatë tekniku italian mund të mbështetet te rikthimet e Elseid Hysajt, Rey Manajt dhe Keidi Bares, të cilët munguan për shkak kartonësh ndaj Hungarisë dhe do të jenë gati të zbresin në fushë nga minuta e parë.
Sfida Shqipëri-San Marino do të startojë në orën 20:45.
Shqipëria ka 9 pikë deri më tani në grup, aq sa Polonia.