“Shpërtheu” te Laçi, ish-i i Dritës pritet të ndërrojë ambient

Laçi kapi jo vetëm zonën “Euro”, por shpalli golashënues Kirian Nuabuezen. Më shumë se kaq nuk mund të prisnin as vetë në Kurbin. Ky sezon që sapo u mbyll, mund të quhet pa frikë i suksesshëm.

E megjithatë, kohë për festë nuk ka. Klubi direkt ka nisur planet për të ardhmen. Me të drejtë po nxitojnë, pasi Kupat e Europës janë në prag. Rinovimet do të jenë hapi i parë dhe më pas do të mendohet për të bërë përforcime.

Duket e pamundur që “Këpuca e Artë” të qëndrojë edhe një vit te bardhezinjtë, e megjithatë drejtuesit do bëjnë çmos që ta mbajnë për ndeshjet europiane dhe vetëm më pas do ta shesin. Ofertat në drejtim të tij kanë muaj që vijnë, por tashmë që mori edhe titullin e shënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore, do të vijnë në rritje. Skuadra e drejtuar prej Armando Cungu nuk do të jetë kalimtare në Ligën e Europës, por minimalisht të kalojë ndonjë tur. E për këtë motiv, drejtuesit duan që të paktën ta kenë mendjen e fjetur me sulmin. Dhe Nuabueze, ia jep këtë qetësi.

Vëmendje do të marrin edhe repartet e tjera, ku po punohet për të siguruar afrimet e duhura. Dëmtimi i mbrojtësit Abdurrahman Fangaj ka prishur jo pak planet, por gjithsesi drejtuesit i kanë hedhur tashmë piketat për ta zëvendësuar.

Emra si Filip Gligorov apo Bojan Najdenov janë lakuar si përforcime, e megjithatë ditët e ardhshme do të zbulojnë diçka më shumë edhe për merkaton.