Shpërthen Trepça ’89 pas demolimit të stadiumit, ja çfarë kërkon për huliganët (VIDEO)

Stadiumi “Riza Lushta” në Mitrovicë, ishte arenë e dy ndeshjeve të barazhit, që u zhvilluan të shtunën dhe të dielën.

Por, nga këto përballje, u dëmtuan ulëset e stadiumit të skuadrës kampione.

Përderisa të shtunën në takimin, Ferizaj – Vllaznia e Pozheranit, u dëmtuan një numër më i vogël i ulëseve nga tifozët ferizajas, të dielën në përballjen, Dukagjini – Drita, tifozët nga Klina të njohur si “Hithat”, demoluan pjesën e tribunës kryesore të stadiumit në Mitrovicë.

Një gjë e tillë ka ndodhur para syve të kryetarit të klubit të Trepçës ’89, Abedin Zeka, i cili ishte i pranishëm.

Në një intervistë për Sportin në KTV, Zeka i ka quajtur huliganë të gjithë ata që e kanë dëmtuar stadiumin e klubit që ai drejton.

Ai ka paralajmëruar ankesë në FFK për dëmin që i është shkaktuar si dhe ka paralajmëruar që të gjitha xhirimet do t’i dërgojnë në organet e rendit.

Sipas tij, organet e rendit duhet të merren më shumë me tifozë të pandërgjegjshëm, madje, Zeka kërkon edhe burgosjen e tyre.

Përveç ndeshjeve të barazhit, në “Riza Lushta” është luajtur edhe finalja e Kupës ndërmjet Llapit dhe Besës.

Por edhe në të kaluarën, stadiumi në Mitrovicë, ka qenë arenë e ndeshjeve të rëndësishme, për shkak edhe të terrenit të mirë që ka.

VIDEO –KLIKO