Shpërthen Mevlan Zeka, sulmon kryesinë e Vëllaznimit!

Mevlan Zeka është maksimalisht i irrituar me kryesinë e klubit të Vëllaznimit, e cila nuk ia lëshoi fletëlëshimin për tu transferuar në ndonjë klub tjetër të Superligës.

Ai tregon se si i ka pasur pesë oferta me kushte shumë të mira financiare, por klubi kuqezi i ka thënë ‘jo’ duke e ‘ngujuar’ në Gjakovë.

“I kisha pesë oferta nga Istogu, Drenica, Trepça, Liria dhe së fundmi Llamkos Kosova. Por, klubi im edhe pse është në një krizë totale nuk ma lëshoi fletëlëshimin. Ata m’i humbën disa oferta me kushte shumë të mira financiare, ndërsa vet nuk po na japin as rrogat”, tha Zeka për Gazetën Olle.

Sulmuesi më efikas i kuqezinjve i bën apel kryesisë që të largohet nëse nuk është në gjendje ta mbajë klubin ashtu siç duhet.

“E lus kryesinë e klubit që nëse nuk janë në gjendje ta menaxhojnë Vëllaznimin ashtu siç duhet, le të largohen. Unë kam 10 ditë që nuk ushtroj për shkak të këtyre padrejtësive, por përkundër këtij fakti jam shumë mirë i përgatitur”, përfudnoi Zeka.

Ditë më parë edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë që e përkrahë çfarëdo lloj vendimi të Zekës për karrierën e tij, por duke e shprehur dëshirën që ai të mbetet në Gjakovë.

Ai shihet si njëri ndër sulmuesit më perspektiv në futbollin kosovar. /Gazeta Olle