Shpërblehet me 10 mijë euro përfaqësuesja e Kosovës në hendboll

Pas suksesit të arritur në Kampionatin botëror të hendbollit për shtetet në zhvillim, ku përfaqësuesja e Kosovës zuri vendin e tretë, si shenjë falënderimi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës, të shoqëruar nga trajnerët dhe lojtarët e Përfaqësues së Kosovës në hendboll.

 

Kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, e vlerësoi si shumë të suksesshëm këtë kampionat të organizuar për të parën herë në Kosovë dhe njëkohësisht e falënderoi ministrin Shala për mbështetjen dhe përkrahjen e parezervë që i ka dhënë këtij aktiviteti të rëndësishëm.

 

Në anën tjetër,  ministri Shala përgëzoi lojtarët, drejtuesit e përfaqësueses dhe federatën për këtë sukses të rëndësishëm të sportit të Kosovës, duke thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë edhe më tutje ta mbështesë sportin në përgjithësi.

 

Me këtë rast, u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe FHK-së, nëpërmjet të cilit, MKRS-ja për suksesin e treguar në këtë kampionat e shpërblen Federatën e Hendbollit dhe Përfaqësuesen e Kosovës me 10 mijë euro.

 

Rikujtojmë se Kosova ishte nikoqire e Kampionatit botëror për shtetet në zhvillim me ç’rast morën pjesë 16 shtete nga mbarë bota.