Shpenzuesit e mëdhenj kërcënojnë të prishin hierarkinë e Champions League

Faza e grupeve në Ligën e Kampionëve fillon të martën me një ndeshje mes skuadrave tradicionale të “peshës së rëndë”, Barcelonës dhe Bayern Munichut.

Por shpenzuesit e mëdhenj në vende të tjera janë favoritë për trofeun e garës elitare, pas një vere tërheqëse me transferime.

Paris Saint-Germaini përforcoi rolin e favoritit për Champions me ardhjen e superyllit Lionel Messi nga Barcelona, ​​ish-kapitenit të Real Madridit, Sergio Ramosit, portierit fitues të Kampionatit Evropian me Italinë, Gianluigi Donnarummas, mesfushorit holandez Georginio Wijnaldum dhe mbrojtësve të krahut Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes. Ky i fundit ishte lojtari më i mirë i ri në Portugali sezonin e kaluar.

PSG-ja, që është mbështetur nga Qatar Sports Investment që nga viti 2011, arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar dhe në finale një vit më herët, por kurrë nuk e ka fituar trofeun.

Ndoshta nuk është rastësi që fushata spektakolare e rekrutimit të klubit vjen me synimin për të fituar garën kryesore të Evropës për klubet, para se Katari të presë Kupën e Botës vitin e ardhshëm.

PSG-ja nis tentimin për triumf të mërkurën në Grupin A kundër Club Brugge, ku Messi, Neymari dhe Kylian Mbappe mund të luajnë së bashku për herë të parë, një formacion sulmues i frikshëm që mund të jetë i papërballueshëm për kampionin belg.

Messi u “përgatit” për këtë ndeshje me një “hat-trick”, që e shënoi për Argjentinën në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”.

Mbappe mbetet lojtar i rëndësishëm te parisienët. Madje, ekipi francez refuzoi ofertën prej mbi 200 milionë eurove të Real Madridit për Mbappen, pavarësisht se e dinte se sulmuesi mund të largohet pa një tarifë transferimi kur kontrata e tij të përfundojë vitin e ardhshëm.

Shpenzimi i parave

Edhe klubet e Premier Leagues kanë shfaqur një tendencë të ngjashme për rekrutimin e futbollistëve. Finalistët e Ligës së Kampionëve të sezonit të kaluar, Chelsea dhe Manchester City shpenzuan shifra rekorde të tyre për transferimet e mëdha.

Mesfushori sulmues Jack Grealish iu bashkua Cityt për 117.5 milionë euro, dëmshpërblim rekord për një lojtar britanik. Sulmuesi Romelu Lukaku u transferua në Chelsea nga Interi për 115 milionë euro. Këto lëvizje forcuan skuadrat tashmë të forta, të cilat luajtën në finalen e Championsit të mbajtur në Porto, të cilën e fitoi Chelsea.

City pret klubin gjerman Leipzig në Grupin A të mërkurën, një ditë pasi Chelsea mirëpret Zenitin në kuadër të Grupit H, në ndeshjen e parë si kampion në fuqi.

Manchester Unitedi mundi rivalët e tij vendas duke nënshkruar me mesfushorin e Anglisë, Jadon Sanchon, mbrojtësin e Francës, Raphael Varanen dhe yllin e Portugalisë, Cristiano Ronaldo nga Juventusi për një kosto që shkoi në 150 milionë euro në total. Ndeshja e parë e Ronaldos në Ligën e Kampionëve për Unitedin qëkur humbi finalen e vitit 2009 nga Barcelona është me kampionin zviceran Young Boysin të martën në Grupin F.

Shpenzuesit e mëdhenj kanë kapur trendin e fundit në të gjithë Evropën, ku pandemia e koronavirusit ka pasur një efekt negativ në shumicën e klubeve, përfshirë Juventusin, që luan te Malmo të martën në Grupin H.

Epokë e re te Barcelona

Kampioni i gjashtëfishtë i Evropës, Bayerni ka një trajner të ri, Julian Nagelsmannin, por pati një verë shumë të qetë, duke u dhënë lojtarëve të rinj si Jamal Musiala dhe Josip Stanishiq një shans për të vendosur veten në ekip.

Barcelona kaloi një verë të vështirë, me pandeminë dhe vitet e shpenzimeve të mëdha duke luajtur një rol në largimin e Messit dhe Antoine Griezmannit. Ansu Fati trashëgoi numrin dhjetë të Messit në fanellë dhe tifozët e Barçës po shpresojnë që një 18-vjeçar tjetër, Pedri, të ndihmojë në krijimin e një epoke të re të suksesshme pas paraqitjeve të tij brilante për Spanjën në Kampionatin Evropian.

Ndeshja e Grupit E në stadiumin “Camp Nou” vjen pasi Bayerni e pati mposhtur Barcelonën 8:2 në takimin e fundit në çerekfinalet e vitit 2020 të Championsit.

Test i vështirë për Realin

Kampioni në fuqi i Italisë, Interi, e pret Real Madridin në një ndeshje tjetër interesante të mërkurën në kuadër të Grupit D. Pavarësisht se Mbappe nuk u zhvendos në Spanjë, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti e ka përmirësuar repartin e sulmit që është treguar efikas këtë edicion, pas largimit të Zinedine Zidane.

Karim Benzema ka shënuar pesë gola dhe ka bërë katër asistime në katër ndeshje të La Ligas këtë edicion dhe mbetet kërcënimi kryesor për mbrojtjen e Interit. Një tjetër ndeshje e madhe zhvillohet të mërkurën në kuadër të Grupit B, ku përballen Liverpooli dhe Milani.

Liverpooli, që për herë të fundit ka triumfuar në Champions në vitin 2019, mund të mbështetet në qendërmbrojtësin Virgil van Dijk, i cili është rikthyer këtë edicion pas lëndimit të gjurit, që e pësoi sezonin e shkuar dhe mungoi për disa muaj.

Hasenhuttl elozhe Brojës: Mëson shumë shpejt, tani e kuptova pse e morëm

Trajneri i Grasshopers me koment epik për Abrashin: Shërohet më shpejt se ka mish shqiptar