Shaptahoviq tregon se a do të vijë te Peja

Ish-basketbollisti i shumë skuadrave kosovare, Samir Shaptahoviq, i cili muaj më parë i dha fund karrierës së tij si basketbollit mund të rikthehet sërish në Kosovë, te skuadra e Pejës.

Në një prononcim për ‘Gazetën Tribuna’, Shaptahoviq, thotë se pas largimit në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tifozët ‘Shqiponjat’, kanë kërkuar rikthimin e tij dhe dëshira e tij mbetet të kthehet në Pejë.

“Ende nuk kam biseduar konkretisht me klubin. Por, me tifozët ‘Shqiponjat’ kam biseduar për rikthimin e mundshëm. Dëshira ime është që të kthehem dhe të përfundoj misionin tim në Kosovë, pasi nuk kam dhënë atë që kam premtuar”, deklaroi Shaptahoviq ekskluzivisht për ‘Gazetën Tribuna’.

Shpatahoviq, thotë se një ndër arsyet kryesore me rikthimin e tij në Pejë, është qyteti i Pejës, dhe tifozët ‘Shqiponjat’, duke mos e mohuar se është duke i munguar basketbollit.

 

“Nëse do të kthehem sërish arsyeja kryesore do të jetë qyteti i Pejës, dhe tifozët tonë ‘Shqiponjat’. Normalisht basketbolli është duke më munguar jashtëzakonisht shumë dhe shumë mesazhe dërguar ndaj meje kanë bërë që të mendoj sërish rikthimin”, përfundoi Shaptahoviq.

 

Fundori shqiptar, gjatë karrierës së tij në Kosovë, ka arritur të fitoj të gjitha trofetë e mundshme me klube në të cilat ka luajtur.