Shorti i EHF: Besa Famgas përballet sërish me boshnjak, Prishtina kundër AEK-ut

Kampionia e Kosovës, Besa Famgas, do të përballet me Boracin e Banjallukës në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Shorti për këtë fazë të garave është tërhequr të mërkurën.

Ndeshja e parë luhet më 12/13 dhjetor në Pejë, kurse e kthimit një javë më vonë në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës.

Besa Famgas ka shkëlqyer në raundin e dytë të Kupës Evropiane, duke shënuar dy fitore të thella ndaj Bosna Visoko, skuadrës tjetër boshnjake. Të dy ndeshjet ishin luajtur në Pejë.

Besa Famgas ka pretendime për të shkuar përtej raundit të tretë të Kupës Evropiane.

Ndërkohë, Në raundin e tretë të Kupës Evropiane suksesin e kërkon edhe KH Prishtina. Prishtina raundin e dytë e ka kaluar pa lojë, pasi skuadra bullgare, Dobrudja hoqi dorë nga ndeshjet.

Në raundin e tretë, kryeqytetasit përballen me AEK-un e Greqisë. Shorti i tërhequr të mërkurën ka përcaktuar që ndeshja e parë të luhet në Athinë më 12 apo 13 dhjetor, kurse ndeshja e kthimit është një javë më vonë në Prishtinë.