Shkoni te mjeku

Brenda shtatë muajve, opinioni sportiv në Kosovë u shokua dy herë, pasi nga jeta u ndanë dy futbollistë, të cilët shkaktuan pikëllim të madh në gjithë vendin tonë. Në qershor nga jeta u nda futbollisti i Feronikelit, Triumf Shabani, i cili teksa po luante futboll në një fushë të vogël, kishte pësuar atak në zemër.

Ndërsa, të premten që shkoi, nga jeta u nda edhe një talent. 14-vjeçarin e Shkollës së Futbollit “Dardania” nga Samadrexha, Syrishqiponjës Haxhiu, e gjeti vdekja teksa po luante me shokët e tij. Besohet se edhe ky i ri kishte pësuar sulm në zemër.

Është paksa problem të dihet numri i saktë i futbollistëve të vdekur në këso mënyra që nga paslufta, pasi kryesisht familjarët nuk kanë pranuar që të ndjerët të dërgohen për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Megjithëkëtë, dy rastet e fundit sikur kanë krijuar panik në vend, dhe sot shumëkush mund të vërë pikëpyetje mbi gjendjen shëndetësore të futbollistëve tanë.

Mirëpo, autoritetet kompetente, thuajse njëzëri, thonë se nuk ka vend për panik, derisa vdekjet e fundit i konsiderojnë natyrale. Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) pohojnë se kanë bashkëpunim shumë të mirë me Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, e cila e monitoron dhe e njeh mirë gjendjen e të gjithë futbollistëve, të të gjitha grupmoshave, që garojnë nën ombrellën e FFK-së.

“Të gjitha grupmoshat e futbollistëve që marrin pjesë në garat e organizuara nga FFK-ja janë të obliguara t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive. Dhe, ky obligim zbatohet nga futbollistët, sepse përndryshe nuk licencohen dhe nuk mund të garojnë”, thotë për “Zërin” sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Kjo që e thotë FFK-ja konfirmohet edhe në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, që u vizitua të hënën nga Gazeta “Zëri”. Doktorët e kësaj qendre ishin në vlug të punës, duke kontrolluar lojtarë, siç bëjnë zakonisht para çdo sezoni.

“E kemi Superligën, Ligën e Parë dhe Ligën Rajonale. Çdo gjashtë muaj, futbollistët e kanë obligim për ta kryer vizitën në Qendrën tonë. Plus, Shkollat e këtyre kategorive. FFK-ja është e përpiktë, pasi çdo gjashtë muaj kryen vizitat mjekësore dhe asnjë lojtar nuk mund të luajë pa e pasur librezën se i ka kryer vizitat”, tha për “Zërin” specialisti i

kësaj qendre, Rrustem Gashi.

 

Disave u është ndaluar futbolli

 

Doktor Rrustem Gashi tha se Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive në Prishtinë është e aftë t’i kryejë në përpikëri detyrat e veta. Ai tregoi se në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, në këtë qendër janë kontrolluar 2300 pacientë nga futbolli. Ndërsa, në gjashtëmujorin e dytë, numri ka shkuar në 4299. Pas kontrolleve mjekësore, disave prej tyre iu ndalua marrja me sport.

“Te shkollat i kemi dhjetë futbollistë që kanë zhurmë në zemër. I kemi dërguar te kardiologu, i cili u ka thënë se i kanë disa çrregullime, por që mund të luajnë. Por, i kemi identifikuar 2-3 raste që u kemi sugjeruar të shkojnë jashtë. Dy janë operuar në Itali dhe një në Shqipëri. Te seniorët janë identifikuar raste me hipertension, ndonjë rast me infeksion të sistemit respirator, por me terapi kanë filluar prapë të merren me sport”, tregon specialisti Gashi.

“Në vitin e fundit i kemi dy-tri raste që ua kemi ndaluar futbollin. Plus i kemi tre-katër gjyqtarë të futbollit që ua kemi ndaluar referimin”, konfirmoi ai.

 

Rexhepi: Të rinjtë të kontrollohen sa më shpesh

 

Në anën tjetër, ish-drejtori i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive, Agron Rexhepi, thotë futbollistët e grupmoshave të reja duhet ta vizitojnë më shpesh këtë qendër. Ndërsa, sa i përket rastit të fundit që vdiq talenti nga Samadrexha, eksperti i Mjekësisë Sportive dhe nutricisti sportiv tha se duhet të jetë natyral.

“Këto raste ndodhin edhe në vende ku kontrollimet mjekësore janë shumë më efikase sesa tek ne. Mirëpo, unë konsideroj se futbollistët e mitur duhet të obligohen t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore katër herë brenda vitit, e jo vetëm dy herë”, thotë Rexhepi, i cili deri në vitin 2010 ishte drejtor i Qendrës së Mjekësisë Sportive në Prishtinë.

“Gjatë vizitës sistematike të bërë te futbollistët në sezonin pranveror të vitit 2010, nga 4 mijë futbollistë, sa u patën kontrolluar, te 167 prej tyre është hasur zhurma në zemër. Që të gjithë kanë qenë referuar për kontrolle shtesë specialistike te kardiologu, ku është kërkuar të bëhet echo e zemrës dhe stres-EKG-ja. Pastaj, vetëm me rekomandimin e kardiologut janë licencuar apo nuk janë licencuar”, tregon Rexhepi.

Ai thotë se Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive, në bashkëpunim me FFK-në, duhet t’i obligojnë futbollistët e rinj, të shkollave, që brenda një viti t’u nënshtrohen katër herë kontrolleve mjekësore, e jo vetëm çdo gjashtë muaj.

“Unë konsideroj se duhet t’u bëhet një tretman i veçantë futbollistëve, te të cilët dëgjohen zhurma në zemër. Në asnjë mënyrë kjo kategori e fëmijëve-sportistëve nuk duhet larguar nga aktivitetet fizike të mëtutjeshme, por përkundrazi duhet aplikuar programe speciale për trajtimin e tyre”, thekson ai.

mjekuu

 

Përgjegjësia u takon edhe trajnerëve

 

Duke e pasur parasysh se futbollistëve të grupmoshave të reja duhet t’u kushtohet më shumë kujdes rreth shëndetit të tyre, eksperti i Mjekësisë Sportive dhe nutricisti sportiv, Agron Rexhepi, përgjegjësi u ndan edhe trajnerëve të tyre.

“Nëse e kemi parasysh faktin se shumica e këtyre rasteve janë të moshës 15 vjeç, kohë kjo kur ende nuk ka përfunduar rritja dhe zhvillimi i tyre (zemra ende nuk e ka arritur zhvillimin e plotë struktural dhe funksional), atëherë përgjegjësia e madhe bie mbi trajnerët, të cilët duhet që të punojnë në mënyrë individuale me këtë kategori”, deklaroi Rexhepi.

“Mos të harrojmë se këtyre fëmijëve-sportistëve trajneri mund t’u ofrojë shumë më tepër se sa kardiologu më i mirë në botë”, theksoi Rexhepi, sipas të cilit, përgatitja kondicionale te futbollistët në Kosovë nuk është në nivel aq të kënaqshëm.