Shkëndija turpërohet në Slloveni, mposhtet thellë nga Mura

Eliminatoret e Ligës së Kampionëve rezultojnë shumë të vështira për skuadrat shqiptare. Pas Teutës, që u eliminua nga moldavët e Sheriff Tiraspol, po në turin e parë janë eliminuar edhe dy skuadrat e tjera shqiptare, Prishtina dhe Shkëndija e Tetovës.

Këta të fundit u mposhtën me rezultatin minimal 0-1 në ndeshjen e parë në Shkup, por kishin udhëtuar drejt Sllovenisë me besimin se mund të përmbysnin gjithçka përballë Murës dhe të avanconin më tej, megjithatë nuk ia dolën, pasi pësuan një humbje të thellë 5-0.

Sfida nisi mirë për vendasit, që i shkuan pranë golit në minutën e 6’ me anë të Cipot, por gardiani kuqezi, Zahov bëri një pritje mjaft të bukur dhe mbajti në lojë tetovarët, që me kalimin e minutave rritën konfidencën në lojë.

Në minutën e 15’ Ibraimi kombinoi bukur me Doriev dhe ky i fundit i shkoi pranë golit, por goditja në një pozicion të prirët me portën, shkoi vetëm pak centimetra larg shtyllës pingule të skuadrës vendase.

Vetëm një minutë më vonë ishte Armen Alimi që pas një aksioni të gjatë të kuqezinjve, u lirua mbi vijën e 16-metërshit dhe lëshoi një goditje me të djathtën, por Obradovic u tregua i gatshëm të grushtojë topin në këndore.

Në momentin më të mirë të Shkëndijës, ishte Bobicanec që shënoi golin e avantazhit për Murën. Fantazisti u bë protagonist i sllovenëve, pasi ishte autori i golit të vetëm edhe në ndeshjen e parë në Shkup.

Më pas për të vrarë ndeshjen mendoi mbrojtësi sllovak Jan Krivak, që mori dy kartonë të verdhë në harkun e tre minutave dhe la Shkëndijën me 10 futbollistë që nga minuta e 42-të, duke bërë gjithçka më të lehtë për vendasit.

Duke shfrytëzuar në maksimum epërsinë numerike, Mura shënoi edhe tre herë të tjera me Bobicanec, Klepac dy herë e Kous, ndërsa Shkëndija i dha lamtumirën Ligës së Kampionëve për të vijuar tashmë aventurën në Conference League, ku do të përballet me letonët e Riga-s. /Gazeta Olle/

Uzuni realizon het-trick në ‘Fadil Vokrri’, përfundon aventura e Prishtinës në Ligën e Kampionëve

Konfirmohet lajmi i Gazetës Olle, Gjilani prezanton Arbër Prekazin