Bora është skuadra më e re që është inkuadruar në Superligën e Kosovës në basketboll.
Skuadra kryeqytetase kishte paraqitje të jashtëzakonshme në Ligën e Parë dhe në Superligë nuk janë futur si skuadrat tjera që ka ndodhur viteve të fundit, duke u larguar pa lënë gjurmë.
Se e kanë marrë seriozisht inkuadrimin në Superligë tregojnë edhe transferimet që kanë kryer drejtuesit e kësaj skuadre.
Të udhëhequr nga një emër i madh i basketbollit si Arben Krasniqi, Bora prezantoi ardhjen e parë basketbollistin Rezart Memed.
Menjëherë pas tij Borës iu bashkua edhe Jetmir Zeqiri, Ardit Pepaj e të huajt si Jr Clay, Sha’Markus Kennedy, Isiah Mosley e Jalen Graham.
Qysh në ndeshjen e parë zyrtare Bora tregoi se ka potencial të madh, ku në Superkupën e Kosovës në basketboll u përball me kampionin në fuqi Trepçën.
Bora tregoi lojë të fortë dhe vetëm në fund të ndeshjes u mposht nga Trepça.
Kryeqytetasit janë një nga skuadrat më të organizuara në vend, derisa pritet të jenë arrë e fortë për secilën skuadër në Superligë.
Ndeshjen e parë në kampionat Bora do ta zhvilloj të dielën ndaj Yllit, derisa pastaj luajnë me Sigal Prishtinën, Pejën, Bashkimin, Vëllaznimin, Proton Cable Prizrenin dhe në xhiron e shtatë me Trepçën.