Shkëlqimi dhe rënia e BBC

Ai që u pa në fushë ndaj Athletic Bilbaos nuk ishte Reali i Madridit që të gjithë prisnin. Me humbjen 1-0 në San Mames, Los Blancos kanë lëshuar shumë terren ndaj rivalëve të tyre direktë për titullin e La Ligas, pasi mbi të gjitha vinin në këtë sfidë pas një tjetër rezultati zhgënjyes, pikërisht barazimin 1-1 ndaj Villarrealit në Santiago Bernabeu. Por tifozët e Realit dhe trajneri Ancelotti më shumë sesa për 5 pikët e humbura në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, shqetësohen për faktin se skuadra nuk ka më atë saktësinë e vitit 2014 përpara portës. Statistikat e tregojnë mësëmiri dicka të tillë pasi Los Blancos në 2015-n shënojnë afërsisht dy gola më pak për ndeshje se në vitin 2014. Në 15 sfida të këtij sezoni të zhvilluara gjatë vitit të kaluar Reali regjistron një mesatare shënimi prej 3,6 golash për ndeshje teksa realizoi gjithsej 55 gola.

Ndërkohë vetëm 20 janë golat e shënuar nga skuadra merengues në 11 ndeshje të La Ligas gjatë këtij viti me Realin që realizon 1,81 gola për ndeshje afërsisht dy gola më pak sesa shënonte në 2014-n. Sulmi i kampionëve të Europës nuk funksion më si më parë madje tashmë edhe goditjet në drejtim të portës kundërshtare janë më të pakta. Në 2014-n statistikat tregojnë se Ronaldo me shokë godisnin drejt portës kundërshtare me një mesatare prej 15,2 herësh për ndeshje, ndërsa në 2015-n gjithcka është përmbysur me Realin që nuk e ka më atë grintën e mëparshme dhe godet tre herë më pak në drejtim të portës kundërshtare. Treshja Bale-Benzema-Ronaldo nuk funksionon më si më parë. Cristiano ka realizuar në total 4 gola në La Liga gjatë vitit 2015, Bale e ka dërguar topin në rrjetë vetëm në dy raste ndërsa Benzema është ai që kryeson me 5 finalizime. 11 gola gjithsej për tre futbollistë të kalibrit të tyre janë me të vërtetë shumë pak.

Është pikërisht shterpësia e sulmuesve të tij përpara portës  shqetësimi më i madh për Carlo Ancelottin dhe tifozët e Realit në këto momente. Nëse Los Blancos dëshirojnë të fitojnë titullin e 33-të në Spanjë, trofe që u mungon që nga sezoni 2011-2012, BBC duhet të funksionojë sërish si më parë. Bale-Ronaldo-Benzema duhet të rikthehen ata të dikurshmit dhe të bëjnë detyrën e tyre përpara portës pasi në të kundërt titulli kampion mund të mbetet thjeshtë një utopi.