Shkëlqeu këtë edicion, hendbollistja e Kosovës merr lajmin e vitit

Njëra prej lojtareve kryesore të Kombëtares së Kosovës, Albana Arifi, ka vazhduar kontratën me skuadrën e saj, Lugi.

Lugi është prej klubeve kryesore të Suedisë, ndërsa kontrata e re për Albanën ka ardhur pas paraqitjeve shumë të mira në këtë edicion. Ajo ka nënshkruar edhe për një vit, ndërsa është e lumtur që do të vazhdojë të luajë për Lugin, klubin ku e ka kaluar thuajse tërë karrierën.

“Ndjehem tepër mirë për nënshkrimin e kontratës. Më pëlqen qyteti i Lundit, ku jetoj për shtatë vite. Tani jam edhe studente në Universitetin e Malmos që është shumë pranë Lundit, gjë që e bëri edhe më të lehtë vendimin tim për kontratë të re. Lugi është një nga klubet kryesore të hendbollit në Suedi dhe ndjejë se po zhvillohem gjatë tërë kohës në këtë klub. Lugi gjatë tërë kohës qëndron në krye të tabelës dhe vizioni ynë është që klubin ta mbajmë lartë edhe në të ardhmen”, ka thënë Albana Arifi.

Lugi aktualisht zë vendin e katërt në kampionatin e Suedisë.

“Unë kam luajtur për Lugin gjatë tërë karrierës, në përjashtim të periudhës 2015 – 2018 kur isha në Eslovs”, ka treguar Albana.

Ajo ka arritur suksese kulmore me kategoritë e reja të Suedisë. Këtë vit ka fituar të drejtën të luajë ndeshje zyrtare me Kosovën dhe ka debutuar fuqishëm. Prej Albanës presim kontribut të madh për Kombëtaren tonë për shumë e shumë vite. Përkushtimi i saj për sukses me Kosovën është shembullor.

Edhe te Lugi janë shprehur të lumtur që kanë vazhduar kontratën me Albanën. Në klubin suedez vlerësojnë se ajo është paraqitur shumë mirë gjatë këtij edicioni.

“Albana më ka befasuar pozitivisht prej se i jam bashkuar klubit. Ajo po paraqitet shumë mirë në pozitën e saj. Ajo ka ngritur nivelin fizik dhe në mënyrë të vazhdueshme po zhvillohet si lojtare e krahut. I ka të gjitha cilësitë për një lojtare moderne të krahut dhe do të jetë entuziazmuese të shohim se sa larg mund të shkojë ajo. Ajo vërtetë ka dëshirën, ndërsa fakti se tashmë po luan me Kosovën, do t’i shërbejë në zhvillimin e mëtejmë”, ka thënë trajneri i Lugit, Kenneth Andersson.