Shkelmimi i kundërshtarit mund t’i kushtojë shtrenjtë Berishës

Besart Berisha vazhdon të jetë figurë shumë e rëndësishme në kampionatin e Australisë në futboll. Berisha të shtunën shënoi një gol të bukur e më pas u ndëshkua direkt me karton të kuq, derisa skuadra e tij, Melbourne Victory, u kualifikua për serinë finale të kampionatit, pas fitores 4:1 në udhëtim ndaj Wellington Phoenix.

Sulmuesi 30-vjeçar shënoi për 1:0 në minutën e nëntë, duke dërguar topin në rrjetë me një goditje me thembër. Ishte ky goli i 17-të i Berishës në 25 paraqitje kampionale, që vetëm konfirmoi formën e lartë që po kalon ai edhe këtë edicion, përcjell sot Koha Ditore shkrimin e Daily Mail.

Por Berisha në të njëjtën ndeshje shfaqi edhe anën tjetër të tij. Si gjithmonë luftarak, ai në një duel në ajër u godit me bërryl në kokë nga një lojtar i Wellingtonit. Derisa po merrte ndihmën mjekësore, i shtrirë në fushë, kosovarit iu afrua kapiteni i Wellingtonit, Andrew Durante.

Ndonëse i shtrirë, Berisha zgjati këmbën dhe provoi të shqelmojë në trup Duranten. Kontakti me të ishte fare i vogël. Për këtë shkelmim, Berisha u ndëshkua direkt me karton të kuq dhe u përjashtua në minutën e 35-të.

Ky përjashtim mund t’i kushtojë shtrenjtë Berishës dhe skuadrës së tij, Melbourne Victory. Ai do të mungoi në ndeshjen e fundit të pjesës së rregullt të kampionatit, që Melbourne e luan ndaj Brisbane Roar. Por ekziston rreziku që Berisha të dënohet me më shumë se një ndeshje, nëse vepra e tij cilësohet si sjellje e dhunshme.