Shkarkimi dhe e ardhmja, ju flet Jose Mourinho

Jose Mourinhi planifikon të rikthehet menjëherë në një detyrë të re, dhe konfirmoi se ishte shkarkuar nga Chelsea.

Në një komunikatë të publikuar nga përfaqësuesit e portugezit “Creative Artist Agency”  dhe “Polaris Sports”, është bërë e ditur se Mourinho tashmë ka filluar kërkimin e postit të ri.

“Gjatë karrierës së tij, Jose nganjëherë ka vendosur të largohet nga një klub, por vetëm në Chelsea, klubi vendosi se ai duhet të largohej”, thuhet në komunikatë.

“Ai nuk do të pushojë për një vit. Nuk është i lodhur, nuk ka nevojë për të. Është shumë pozitiv dhe tashmë ka filluar të mendojë përpara. Për shkak të dashurisë së tij ndaj futbollit, ju do ta shihni Josen duke punuar në fushat e futbollit dhe në përkrahje të miqve. Ai është i kënaqur që u rikthye në Chelsea sepse ishte në gjendje t’ju sjell tifozëve një tjetër titull në Premierligë, të cilin nuk e kishin fituar për shumë vite. Ai është krenar me tetë titujt që ka fituar në Chelsea, dhe i falënderon tifozët për mbështetjen e tyre gjatë dy aventurave të tij në klub”, shkruante në vazhdim.

“Jose shpreson se e ardhmja e tij pas Chelseas do të jetë e suksesshme, njësoj sikurse kur u largua nga klubi më 2007”.