Shima largohet nga Bashkimi për te Peja?

Basketbollisti shqiptar, Gerti Shima, mund të largohet nga Bashkimi në afatin kalimtar dimëror. Vetëm pas tre muajsh qëndrimi te prizrenasit, përfaqësuesi shqiptar mund të largohet në drejtim të Pejës.

Burimet e “Zërit” mësojnë se drejtuesit e klubit pejan janë të interesuar ta rikthejnë në radhët e tyre basketbollistin shqiptar, i cili për dy vjet kishte djersitur fanellën e pejanëve. “Skuadra e Pejës tash e disa ditë ka pasur disa kontakte me Shimën, i cili mund t’i bashkohet ekipit pejan. Ende janë në fazën e parë të bisedimeve, por nëse bisedimet ecin kështu, atëherë Shima mund t’i bashkohet Pejës sërish”, thotë burimi pranë klubit pejan.

Te Bashkimi, alo-qendra ishte një ndër lojtarët më të dalluar duke treguar ndeshje fantastike me prizrenasit. Gazeta ka provuar të kontaktojë me të dyja palët, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Për basketbollistin shqiptar, përveç ofertave të cilat i ka nga Kampionati i Kosovës, interesim ka shprehur edhe skuadra e Tiranës. Shima nuk u aktivizua në dy ndeshjet e fundit të Bashkimit, për shkak të një lëndimi. Nga skuadra e Bashkimit, përveç Gerti Shimës, mund të largohet edhe qendra San Ibrahim, i cili nuk kishte paraqitje të kënaqshme te prizrenasit. Drejtuesit e klubit prizrenas pritet të vendosin javën e ardhshme rreth të ardhmes së Ibrahim, që nuk bindi me paraqitjet e tij gjatë ndeshjeve të zhvilluara në pjesën vjeshtore të Kampionatit.