Sheremet Isufi i kundërpërgjigjet “Nartelit”: Pronari i kompanisë u largua pasi nuk ia inkuadruam djalin

Trajneri i Trepçës, Sheremet Isufi, i është kundërpërgjigjur kompanisë ‘Nartel’, e cila u largua nga sponsorizimi i KF Trepça.

Në komunikatën lëshuar për media dhe të publikuar në Gazetën Olle, Nartel arsyetoi vendimin me organizimin e dobët të brendshëm të klubit dhe me padrejtësitë që shtabi teknik ua ka bërë lojtarëve, duke mos i inkuadruar në formacion.

Menjëherë ka ardhur reagimi i trajnerit, i cili zbulon se djali i pronarit të Nartelit është pjesë e klubit, por që nuk e meriton të jetë në formacionin titullar.

“Është e vërtet që kompania në fjalë e ka ndihmuar me një shumë simbolike klubin, por ne trajnerët kemi përgjegjësi për skuadren dhe pronari i “Kompanisë Nartel” ka menduar që djali i tij duhet të jetë në formacion të parë dhe është shumë gabim nëse ka menduar ashtu”, ka thënë Isufi për Gazetën Olle.
“Djali është i urtë i edukuar, por nuk është për ekipën e parë, madje nuk është as për 18-she. Nëse ka mendu zotria që me paret që ka kontribu për klub me një shumë simbolike mundet me vendos për formacion e ka gabu adresën dhe poashtu të gjithë ata që mendojnë si ai janë në adresën e gabuar”, ka shtuar ish-sulmuesi i mirënjohur i futbollit kosovar, pa dashur t’ia përmend emrin lojtarit.

Trepça garon në grupin A të Ligës së Parë, ndërsa nesër takohen me Malishevën në stadiumin “Adem Jashari”.

Pas 10 ndeshjeve, mitrovicasit ndodhen në vendin e parafundit me nëntë pikë të tubuara.