Shënuesi “mysafir”, Myrta i beson këtij Vëllaznimi

Ka shënuar disa gola gjatë karrierës së tij në Superligë, por cila është koincidenca e madhe e realizimeve të tij? Yll Myrta kurrë nuk ka shënuar në Gjakovë në kuadër të Superligës, duke realizuar gjithmonë kur Vëllaznimi ka luajtur mysafir.

Mbrojtësi kuqezi që numëron dy gola këtë sezon me gjakovarët, flet për këtë ‘fenomen personal’ dhe e komenton fitoren në Mitrovicë.

“Kam shënuar disa gola në Superligë, 80% të tyre me kokë, por kurrë nuk kam realizuar në Gjakovë. Është një fakt interesant për të cilin nuk kam ndonjë përgjigje të saktë se pse në të vërtetë ndodhë. Golin me Trepçën ia dedikoj grupit të tifozëve që na ndjekin kudo që luajmë. Ishte një fitore e rëndësishme, sepse mposhtëm një rival direkt”, deklaroi Myrta për Gazetën Olle.

Ai flet edhe për synimet e gjakovarëve këtë edicion, duke u shprehur optimist që kuqezinjtë do t’i ikin barazhit. “Rënia direkt nuk bëhet fjalë. Do të luftojmë për t’i ikur barazhit, sepse e di se çfarë ndjenje të sjellë ajo ndeshje. Jam optimist që do t’ia dalim”, shtoi Myrta.

Ai i ka shënuar Istogut dhe Trepçës këtë sezon. Vëllaznimi në xhiron e ardhshme e pret Ferizajn.