Shefi i federatës zvicerane arsyeton Xhakën për festën me fanellën e Jasharit: Prindërit e tij kanë përjetuar luftën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc, i ka dalë në mbrojtje kapitenit kosovar të Kombëtares helvetike, pas kritikave që mesfushori i kishte marrë kur e kishte festuar fitoren kundër Serbisë me një fanellë me mbiemrin Jashari.

Xhaka ishte lojtari i ndeshjes në fitoren e Zvicrës 1:0 kundër Serbisë – që u arrit po ashtu falë një kosovari tjetër, Xherdan Shaqiri – duke e rrëzuar kombëtaren serbe nga Kupa e Botës Katar 2022 në dhjetor.

Për ta festuar kalimin e Zvicrës në një të tetën e finales në Botëror, pas ndeshjes Xhaka e veshi mbrapsht fanellën e Ardon Jasharit, një tjetër futbollisti kosovar në ekipin zviceran, duke e vënë në pah mbiemrin Jashari, shkruan nacionale.

I pyetur nëse festa e Granit Xhakës me fanellën e Jasharit – i cili mban mbiemrin e njëjtë si Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së dhe heroi i Kosovës nga lufta e 1999-s me Serbinë – Blanc i fajësoi mediat që e teprojnë me Xhakën dhe kërkoi që kosovarët e Zvicrës të kuptohet për shkak të së kaluarës së tyre.

Së pari, duhet të thuhet: çdo gjë që kapiteni jonë e bën apo nuk e bën, mediat e rrisin tej mase. Është e vështirë ta paramendosh se çfarë iu shkon në mendje lojtarëve tanë me rrënje kosovare, prindërit e të cilëve ishin viktima të luftës. Por duhet ta kuptoni. Edhe pse ne bëmë gjithçka para ndeshjes me Serbinë për t’u siguruar se ishte vetëm një ndeshje futbolli, tensionet ishin të mëdha. Granit Xhaka e shpjegoi gjestin e tij pas ndeshjes, është e nevojshme për mua të shtoj diçka këtu”, tha Blanc për Blick.com

I pyetur nëse gjesti i Xhakës ishte provokim politik ndaj Serbisë, shefi i futbollit zviceran e mohoi duke u thirrur në hetimin e FIFA-s i cili e cilësoi si normal festimin e Xhakës me fanellën Jashari.

Shikoni, ne i kemi 186 kombësi të ndryshme në SFV. Ne kemi vlera të cilat janë shumë të rëndësishme për ne. Por nëse ne fillojmë të komentojmë në gjeste të cilat mund të kenë qëllime politike, kjo nuk do të mbaronte kurrë. FIFA e nisi një hetim, por nuk e pa tërë këtë si gjest politik dhe nuk na ndëshkoi neve dhe Granitin”, shtoi ai.

Lista e trajnerëve kampion të pasluftës në Superlgë: Afrim Tovërlani është i pari

Rrahmani ftohet nga Kosova për ndeshjet e muajit mars