Shaptahoviq ka një mesazh për Sigal Prishtinën

Ish-basketbollisti i Pejës dhe Sigal Prishtinës, Samir Shaptahoviq, i cili i dha fund karrierës për të vazhduar jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të përcjell me vëmendje ish-skuadrat e tij.

Në një prononcim për GazetaOlle.com, fundori shqiptar, ka folur për sukseset e Pejës, dhe Sigal Prishtinës, në Ligën Ballkanike.

“Sigurisht që është sukses shumë i madh për Prishtinën pasi për herë të parë në histori hyn në finale. Por, edhe Peja, ka arritur sukses të madh përderisa arriti deri në gjysmëfinale. Kam besuar që do të arrijnë në finale por sido që të jetë Kosova duhet të mburret me këto dy ekipe për arritjet e tyre, përballë shumë kualitative”, u shpreh fillimisht Shaptahoviq.

Ndryshe Samiri ka folur edhe për finalen ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Rilskit, duke shpresuar që kryeqytetasit të arrijnë të fitojnë këtë trofe.

“Sa i përket finales shpresoj dhe besoj fuqimisht që Prishtina do të fitoj këtë trofe pasi ka lojtarë shumë kualitativ në çdo pozitë dhe uroj fitoren qysh tani”, u shpreh Shaptahoviq, për GazetaOlle.com