Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Junior, doli paraditen e kësaj të shtune në një konferencë për media në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku foli për listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat kundër Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, si edhe për objektivat e kuqezinjve për këto dy sfida.
Plot 25 lojtarë do të jenë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo për dy nga takimet më të rëndësishme të kuqezinjve, ku qëllimi i vetëm janë gjashtë pikët për ëndrrën e madhe ‘Gjermani 2024’. Ndërsa iu përgjigj interesit të gazetarëve, trajneri Sylvinho tregoi se pse nuk ka grumbulluar për këto sfida Amir Abrashin dhe Anis Mehmetin, ndërsa komentoi edhe rikthimin e Klaus Gjasulës dhe Odise Roshit, si dhe afrimin e Mirlind Dakut dhe Arbnor Mujës. Trajneri vlerësoi dy ekipet kundërshtare dhe u shpreh se është shumë e rëndësishme që kuqezinjtë të bëjnë një paraqitje të mirë në këto dy ndeshje.
Tekniku i kuqezinjve tregoi gjithashtu se pse nuk ka grumbulluar lojtarë nga kampionati shqiptar për këto dy takime, ndërsa u shpreh i lumtur që përballë Polonisë, Kombëtarja do të ketë edhe mbështetjen e plotë të tifozëve shqiptarë.
Ndryshimet në listë, prej kundërshtarëve të shtatorit – “Pyetje e drejtë, për këto dy ndeshje kemi bërë zgjedhjet për karakteristikat që kanë kundërshtarët. Në total në tre grumbullimet që kam bërë deri tani, nga marsi në shtator, kemi thirrur plot 36 lojtarë. Ky është avantazhi i të punuarit me një ekip kombëtar. Mund të ketë avantazhet e veta në disa momente, krahasuar me klubin. Mund t’ju them që kemi në listën e pritjes 51 emra, 51 lojtarë dhe aty bëjmë zgjedhjet tona. Kjo është diçka pozitive. Sa i përket Abrashit, të gjithë e njohim, mund të flasim gjatë, është një lojtar që jep zemrën në fushë, ka dhënë shumë për Shqipërinë. Absolutisht respekti për të është i madh dhe është patjetër në planet tona, por në këtë ndeshje ne i kemi bërë zgjedhjet duke pasur parasysh kundërshtarët. Për këtë arsye kemi marrë Gjasulën, pasi është një lojtar i gjatë, 1.90 metra. Normalisht në këtë ndeshje na duhen lojtarë që të kenë centimetra në fushë, sa më të gjatë në aspektin fizik. E njëjta gjë edhe për Mehmetin, është një lojtar i ri, është një lojtar që po përmirësohet. Në këtë rast mendoj se zgjedhja e duhur ishte të merrnim Roshin, i cili gjithashtu ka një avantazh sa i përket centimetrave. Ai është një lojtar që mund të ndryshojë edhe ritmin e ndeshjes në momentin që futet në fushë dhe mund të na ndihmojë shumë”.
Situata me portën – “Nuk jemi në situatën tonë më të mirë sa i takon portës. Kemi Strakoshën dhe Berishën që kanë luajtur me Kombëtaren në 50 ndeshjet e fundit. Po të shohim statistikat, ata kanë qenë gjithmonë titullarë. Kemi besim tek ata, i presim që të vijnë në grumbullim, të punojmë me ta, të stërvitemi me ta, të shohim gjendjen e tyre. Berisha ka luajtur 34 ndeshje titullar në gjashtë vitet e fundit, ndërsa Strakosha ka qenë titullar në 18 ndeshje. Janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm dhe në momentin që jemi përpara këtyre dy ndeshjeve na duhet sa më shumë eksperiencë. Na duhet njerëz si ata të dy, të cilët mund të na ndihmojnë shumë”.
Balanca mes reparteve dhe imapkti i Shqipërisë në fushë ndaj Çekisë dhe Polonisë – “Sa i përket reparteve, mendoj se kemi ekuilibrin e duhur, qoftë për mbrojtjen, mesfushën e sulmin. Në mbrojtje kemi lojtarë si Veseli dhe Ajeti, për të cilët jam i lumtur sepse kanë bërë një hap cilësor, janë transferuar në ekipe të tjera gjatë merkatos, në ekipe në nivele të mira. Çfarë është më e rëndësishme ata luajnë rregullisht me klubin, janë lojtarë me shumë eksperiencë. Pastaj kemi Mihajn, Ismajlin, Gjimshitin, Mitajn. Janë lojtarë që kanë luajtur rregullisht dhe vijnë në një moment të mirë. Kështu që mendoj se jemi në pozitat e duhura në këtë sens. Duhet të kemi parasysh që luajmë dy ndeshje shumë të ndryshme, me vështirësi shumë të lartë. Kundërshtarët kanë edhe cilësi të mëdha teknike. Kemi Çekinë përpara, sigurisht një kundërshtar që është mësuar të luajë në Europian, që ka eksperiencë shumë të madhe. Për ne është e rëndësishme të luajmë sa më fort dhe të bëjmë një ndeshje sa më të mirë. Sa i përket lojës, ne kemi ADN-në e Shqipërisë, nuk është se mund të ndryshojmë shumë në këtë sens. Ne luajmë shanset tona, nuk ka rëndësi nëse mbajmë shumë topin apo jo. E rëndësishme për mua është që skuadra të bëjë një paraqitje sa më të mirë dhe të marrim maksimumin. Strategjia jonë e ndeshjes nuk do të ndryshojë, pavarësisht cilësive fizike të kundërshtarëve”.
Pse nuk ka grumbulluar lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar trajneri Silvinjo? – Sa i përket lojtarëve të kampionatit shqiptar, mendoj se nuk është momenti i duhur për të pasur në listë, por jo se nuk ka lojtarë cilësorë. Stafi teknik e ka parë edhe Tiranën, edhe Partizanin e Egnatian në ndeshjet për Kupat e Europës. Kampionati shqiptar ka lojtarë të rëndësishëm. Në listën e pritjes të stafit teknik janë 51 lojtarë dhe në atë listë ka plot emra nga kampionati shqiptar. Thjesht mendoj se nuk është momenti i duhur për të pasur lojtarë por në të ardhmen, patjetër. Ata janë në vëmendjen tonë. Nuk mendoj se është krahasimi i duhur për t’u bërë. Në përzgjedhje nuk nisem nga fakti nëse janë lojtarë të kampionatit shqiptar apo kampionatit të huaj. Për mua është e rëndësishme të jenë lojtarët më të mirë të mundshëm. Kam takuar Hadrojin, të cilin e kemi pasur edhe në grumbullimin e fundit. Është lojtar që kam folur me të, është i fortë teknikisht, është përmirësuar. Janë edhe lojtarë të tjerë si Rrapaj, Sherri, Kasa, të cilët janë gjithashtu në fokusin tonë.
Sa e vështirë është për Shqipërinë të ketë vazhdimësi pas dy fitoreve. Problem euforia? – Jam i kënaqur që njerëzit në Shqipëri janë entuziastë dhe të kënaqur me ecurinë e Kombëtares dhe kanë shumë besim. Duhet të dini që në stafin tonë teknik ne punojmë për çdo ndeshje. Kemi përpara 5 finale dhe të gjithë duan kualifikimin, ashtu si ne. Duhet të luajmë fort me synimin që kur të vijë nëntori ne të jemi në garë për t’u kualifikuar. Lojtarët do të nisin grumbullimin të hënën. I kam parë dhe kam folur me ta. Janë të gjithë entuziastë dhe të qetë, por jam i bindur që nuk ka eufori. Ata e dinë shumë mirë. Do të punojmë me qetësi. Duhet të kemi vazhdimësi, që në nëntor të jemi ende në garë për t’u kualifikuar.
Objektivi i Kombëtares për këto dy ndeshje – Nuk bëjmë dot llogari në këtë moment. Llogaritë duhen bërë në nëntor. Po punojmë për ndeshjen me Çekinë, jemi 100% të fokusuar te kjo ndeshje. Është një kundërshtar shumë i fortë, ekip fizik dhe kanë lojtarë cilësorë. Fokusi ynë është te kjo sfidë për momentin, të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Shkojmë për të marrë maksimumin, por nuk bëjmë dot një llogari. Është herët për të bërë llogari. Ajo që ka rëndësi për mua është të luajmë fort dhe të fitojmë në mënyrë që në nëntor të shkojmë me synimin për t’u kualifikuar. ‘Nëse nuk fitojmë, e rëndësishme është mos të humbasim’.
Përgjegjësi apo entuziazëm nja stadium ‘sold out’ kundër Polonisë? – Fakti që do kemi një stadium plot më jep shumë kënaqësi. E pashë edhe në ndeshjen me Moldavinë, ishte diçka fantastike të kishe një stadium plot me tifozë. Por, edhe në Çeki do ketë rreth 4-5 mijë tifozë shqiptarë, nga informacionet që kemi. Kthehemi këtu më pas ndaj Polonisë me një stadium plot. Është përgjegjësi, por më jep shumë kënaqësi. Puna jonë është në fushë me lojtarët dhe kjo është diçka ekstra.
Ndeshja me Çekinë dhe a i druheni paktit ‘Çeki – Poloni’? – Çekët janë një skuadër që luajnë me një kualitet shumë të lartë. Janë lojtarë që luajnë shumë shpejt, ‘me 100 km/h’, shumë fizikë e të gjatë dhe të fortë në lojën ajrore e fizike. Ne e dimë dhe punojmë shumë në këtë aspekt. Ne nuk duam të bëjmë llogari, punojmë për të marrë pikë dhe për t’u kualifikuar. Nuk na intereson shumë se çfarë mund të bëjnë të tjerët. Mendojmë për Shqipërinë, të përgatitemi sa më mirë, të bëjmë një ndeshje sa më të mirë, të marrim pikë. Kur i kthehem ndeshjes me Moldavinë, ishte diçka shumë e bukur. Stadiumi plot dhe tifozët na dhanë shumë forcë. Fokusi është vetëm ekipi ynë dhe do të vijojmë punën për të arritur objektivin tonë.
Daku dhe Muja, sa shanse ka që të luajnë në këto dy sfida? – Daku dhe Muja janë dy lojtarë që kanë mundësi të marrin minuta në këto dy ndeshje. Janë të fortë dhe mund të na ndihmojnë në këto dy sfida duke pasur parasysh karakteristikat e kundërshtarëve. Daku është një lojtar që luan si pykë në zonë, një lojtar që lufton shumë, i fortë fizikisht dhe jep shumë gjatë 90 minutave. E njëjta gjë edhe për Mujën. Njoh edhe trajnerin e tij tek Antëerp-i. Kemi luajtur dikur bashkë te Barcelona. E lexoj lojën e Mujës, njësoj si trajneri i tij tek Antëerp. Është një lojtar që mund të luajë në disa pozicione, mesfushë dhe sulm. Kësisoj, ai mund të na bëjë shumë punë në këto momente. Është një lojtar që jep shpirtin në fushën e lojës, maksimumin e tij në 90 minuta. Janë lojtarë që mendoj se mund të kenë minuta në këto ndeshje.