Sezoni i ri me Musiljën që tregon formën e vjetër – Mesfushori dardan flet për golat, ofertat që ka dhe ndeshjet e shtatorit me Kosovën

Florent Muslija e ka nisur sezonin e ri aty ku e la të kaluarin, me gola, asistime dhe shkëlqim në çdo ndeshje te skuadra e tij Paderborni.

Mesfushori kosovar ishte padyshim futbollisti më i mirë i Paderbornit sezonin e kaluar, ku në 33 ndeshje zyrtare realizoi 10 gola dhe asistoi në gjashtë të tjerë duke qenë lider i kësaj skuadre.

Edhe sezoni i ri ka nisur për mrekulli për Muslijën, i cili në katër ndeshjet e para përfshirë tre në kampionat dhe një në DFB Pokal ka realizuar dy gola dhe ka asistuar në një tjetër.

Mesfushori kosovar në një intervistë për Telegrafin flet për formën e lartë që po kalon, objektivat që ka me klubin, të ardhmen e tij dhe ofertave si dhe për ndeshjet e shtatorit me Përfaqësuesen e Kosovës.

I lumtur me formën e mirë që po kalon

Ndeshja e parë e Paderbornit në sezonin e ri ishte në Kupën e Gjermanisë ku u përballen me Cotbusin në Kupën e Gjermanisë dhe fituan me rezultat 0-7.

Në këtë sfidë reprezentuesi kosovar shkëlqeu me një gol dhe një asistim.

Muslija tregoi klasin e tij edhe në sfidën e fundit në Bundesliga 2, ku realizoi gol në fitoren 1-2 në udhëtim te Fortuna Dusseldorf.

“Jam shumë i kënaqur me formën që po kaloj. Për mua është gjithmonë kënaqësi kur shënoj apo asistoj, pasi në këtë mënyrë ndihmojë bashkëlojtarët dhe skuadrën për të arritur fitore”, thotë Muslija për Telegrafin.

Paderborni në dy sezonet e fundit është në pjesën e epërme të tabelës, por pa arritur dot inkuadrimin në elitën e futbollit gjerman.

Klubi ka bërë disa përforcime dhe qëllimi është të renditën në tre pozitat e para për tu rikthyer në Bundesliga.

“Unë jam i lumtur këtu. Që dy vite jemi duke luajtur shumë mirë, por që në fund nuk mjaftonte për të arritur një pozitë që na rikthen në Bundesliga”.

“Pas investimeve në klub dhe prurjen e lojtarëve të rinj, objektivat janë që të zëmë njërën nga pozitat e para dhe të futemi në Bundesliga”, u shpreh Muslija.

Shumë klube pas tij, Muslija thotë se po pret fundin e gushtit për të parë se ku do të jetë

Falë formës fantastike që ka shfaqur sezonin e kaluar Muslija ka qenë objektiv i disa skuadrave shumë të mëdha.

Në mediat gjermane kanë qarkulluar fjalë se ai është në listën e dëshirave të ekipeve si Stuttgart (Bundesliga), Schalke 04 (Bundesliga 2), por edhe gjiganti turk Besiktas ka shfaqur interesim për transferimin e tij.

25-vjeçari ka thënë se deri tani ende nuk ka ardhur oferta zyrtare dhe se ai është i hapur për ta menduar.

“Është e vërtetë që ka interesime të shumta, por për tu kryer transferimi duhet të vijë oferta zyrtare e që deri më tani nuk ka ardhur. Në momentin që vije oferta zyrtare atëherë do të diskutojë me klubin se cila është më e mira”, thotë Muslija për Telegrafin.

Gjermania apo Turqia, ku preferon Florenti ta vazhdoj karrierën?

“Gjermania është vendi ku jam rritur dhe kam luajtur gjithë karrierën time. Nuk e përjashtoj mundësinë të transferohem edhe në ndonjë klub jashtë Gjermanisë. Nëse vije një ofertë nga Gjermania do të ishte më e lehtë, por nëse është një ofertë jashtë shtetit atëherë do ta diskutojë me familjen time dhe do ta marrë vendimin e duhur”, tha Muslija.

Gjithsesi mesfushori thotë se është i lumtur te Paderborni edhe nëse nuk vije asnjë ofertë zyrtare, ai do ta respektojë kontratën e cila e mbanë në klubin zikaltër deri në verën e vitit 2024.

“Jam shumë i lumtur në klub dhe në qytet, si unë ashtu edhe familja ime. Edhe nëse nuk largohem këtë verë prapë do të jem i kënaqur që qëndroj këtu”.

“Gjithsesi duhet të presim deri më 1 shtator për të parë se çfarë do të ndodhë”, u shpreh reprezentuesi kosovar.

Kërkon maksimumin e pikëve në ndeshjet e shtatorit me Kosovën

Florent Muslija është një nga futbollistët më të rëndësishëm te Përfaqësuesja e Kosovës në vitet e fundit, pasi ai është një titullar i padiskutueshëm.

Mesfushori i avancuar pritet të grumbullohet në muajin shtator, ku Dardanët do t’i zhvillojnë dy ndeshje kualifikuese në kuadër të Grupit I, ndaj Zvicrës dhe ndaj Rumanisë.

Fillimisht më 9 shtator në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, Dardanët presin helvetikët, derisa tre ditë më vonë do të përballen me Rumaninë në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin Arena Nationala në Bukuresht.

Muslija thotë se pas një fillimi jo të mirë duhet reflektim dhe se kërkon maksimumin e pikëve nga dy përballjet e ardhshme.

“Jemi të vetëdijshëm që nuk kemi startuar mirë në këtë kampanjë kualifikuese dhe kemi mundur të marrim më shumë pikë. Natyrisht që nuk jemi të lumtur për rezultatet e arritura deri më tani”, tha Muslija.

“Qëllimi është që të bëjmë maksimumin në fushë dhe të dalim me pikët maksimale në të dyja sfidat, edhe pse e dimë që nuk do të jetë aspak lehtë pasi kemi kundërshtarë të vështirë përballë”.

“Sigurisht që ne futemi në fushë vetëm për të marrë fitoren dhe shpresojmë që në ndeshjet e shtatorit t’i marrim dy fitore, vetëm në atë mënyrë do t’i bëjmë krenarë gjithë tifozët tanë që në asnjë moment nuk na lënë vetëm dhe kemi përkrahjen e tyre kudo që luajmë”, u shpreh mesfushori kosovar Florent Muslija.

Gripshi flet për të gjitha: Forma e lartë, ndeshjet e ‘Play-Off’-it si dhe ofertat që ka

Në Spanjë e bëjnë fakt të kryer, Mbappe do t’i bashkohet Realit