Serbi që ‘rrëmbeu’ flamurin: ‘U provokova, prandaj reagova’

Portieri serb i Apolonisë së Fierit, që i kapi flamurin shqiptar një tifozi të futur në fushë, është rikthyer në Serbi. Ai ka deklaruar për mediat serbe se nuk do ta lejonte kurrë një provokim të tillë, derisa për mediat shqiptare kishte thënë se nuk e ka ditur se për çfarë flamuri bëhet fjalë.

“Tifozi vrapoi për 70 metra nëpër fushë, shpalosi flamurin, kurse policët qëndronin dhe e ruanin. Unë vetëm reagova ndaj provokimit, dëshiroja ta largoja atë dhe të vazhdoja ndeshjen sa më shpejt që është e mundur. Pasi e pashë se çfarë flamuri është, ishte e qartë se ai kishte ardhur të më provokonte mua dhe bashkëlojtarët e mijë nga Serbia: Gjogjeviq dhe Rajkoviq”, thotë Cakoviq për ‘Sportske Novosti’ të Serbisë, transmeton Gazetaolle.com.

Pas kapjes së flamurit nga ai vrapuan lojtarët shqiptar ku nisi konflikti fizik.

“Aty ishte një njeri që nuk vërshëlleu, kurse trajneri më nxori nga loja për të qetësuar situatën. Tensionet përfunduan në minutën 25, pasi bisedova edhe me gazetarët shqiptarë. Unë u thashë edhe atyre se nëse një lojtar shqiptar do ta bënte këtë në Serbi, nuk do të sulmohej nga lojtarët serbë”, shtoi ai.

Ai tha se edhe pas incidentit të muajit tetor në ndeshjen Shqipëri – Serbi, kurrë nuk ka pasur probleme shqiptarët, pavarësisht se ka qëndruar në Shqipëri. Lojtari është përjashtuar tani nga Apolonia. (Gazeta Olle)